UDSH: Reagim ndaj ndalimit të shtetasve shqiptar në Budva

Prej tvteuta15:07, 23 Qershor 2016

                                                                                                  Kumtesë për opinion

 

Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) reagon kundër marrjes në pyetje të shtetasve Shqiptarë në qytetin e Budves, për shkak se e kishin automjetin e tyre të stolisur me flamurin tonë kombëtar.

Pyesim organet kompetente: deri kur zotërinj do të vazhdoni me akte antishqiptare? Çka ju pengon flamuri jonë? Nëse jeni të përpiktë në zbatimin e ligjit, atëherë pse nuk i burgosni Rusët kur në makinat dhe shtëpitë e tyre valëvitet flamuri i tyre? Mos është ky mesazh që të gjithë flamujt e botës mund të valëviten në Mal të Zi veç ai i kombit më të vjetër në Ballkan dhe Europë nuk guxon të valëvitet. Kujt dhe cilave politika i shërbejnë këto akte anticivilizuese?

Pak kohë më parë u sulmuam nga Akademia malazeze e shkencave dhe arteve nëpërmjet Fjalorit të gjuhës popullore dhe letrare malazeze. Autorët e këtij fjalori në vend që të tregojnë pendim dhe të pranojnë gabimet e bëra, ato, përkundrazi, krenohen me falsifikimet e bëra kundrejt prejardhjes së popullit shqiptarë.

Harrojnë zotërinjtë që jemi në fillim të sezonit turistik në Mal të Zi dhe në mesin e kampionatit Europian të futbollit. A është ky mesazh që turistët shqiptarë nuk janë të mirëseardhur? Shumë shpejt harruan që para tre-katër viteve në Budvë kërkoheshin kamerierë që dinin shqip. Sezonin turistik në Kollashin tash disa vite po e shpëtojnë mysafirët nga Shqipëria. I përkujtojmë zotërinjtë që dyfytyrësia është virtyti më i shëmtuar dhe më i urryer në botën civilizuese.

UDSH fton të gjithë instancat shtetërore, të gjithë mendjet e kthjellëta intelektuale që t’i kundërvihen këtyre akteve antishqiptare. Këto veprime kundër flamurit shqiptar nuk janë në dobi dhe shërbim pik së pari të shtetit të ri të Malit të Zi. Neve hapur i themi këtyre kokave mesjetare që flamuri shqiptar mund të burgoset aq sa mund të burgosen të gjithë Shqiptarët në Mal të Zi.

 

Kryetari i UDSH-së

Mehmed Zenka

  • 1

    Radio