Takimi i partive parlamentare. Asnjë hap përparim

Prej tvteuta16:17, 18 Nëntor 2022

As ditën e sotme nuk duket se ka pasur avancim në tentativat për të dalë nga kriza e thellë politike në Mal të Zi, pasi takimi i përfaqësuesve të partive politike parlamentare ka përfunduar me qëndrime komplet të kundërta për të gjitha çështjet e diskutuara. Këtë e njoftoi vetë kryetarja e Kuvendit Danijella Gjuroviq, e cila pas takimit tha se nuk është arritur dakorëdsi për asnjë çështje të parashtruar.

Ajo theksoi se është për të ardhur keq që partitë politike nuk kanë arritur të ecin përpara në drejtim të kompromisit dhe në drejtim të zgjidhjes së krizës problematike dhe shumë komplekse sociale në të cilën ndodhet Mali i Zi.

Për dallin nga takimi i parë, kësaj radhe në të ishte prezent kryetari i PDS, Millo Gjukanoviq, por mungonin ata të Frontit Demokratik, të cilët mungesën e Gjukanoviq herën e kaluan e përdorën si arsyetim për tu larguar nga takimi. Burime nga takimi thonë se Gjukanoviq ka thënë se për ta është e pranueshme vetëm tërheqja e Ligjit për presidentin, e pastaj të diskutohet për zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, por duket se rënditja e këtyre hapave nuk përkrahet nga pozita, të cilët e vlerësojnë se zhbllokimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë prioritet. Në anën tjetër në PDS nuk pranojnë që në procesin e zgjedhjes së kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese të kyçen në mes të procedurës.

Pas takimit kryetari i SD Damir Shehoviq, tha se në rast se nuk tërhiqet Ligji për presidentin, ata do të shqyrtojnë mundësinë e largimit nga instituionet për të vazhduar me luftë jashtëinstitucionale. Për të, zhbllokimi i Gjykatës Kushtetuese mund të bëhet vetëm me kthimin e procedurës në Këshillin Kushtetues, dhe nga aty të arrihet marrëveshja për kandidatët.

Aleksa Beçiq, kryetari i Demokratëve tha se ishin qëndrimet e ngurta të opozitës ata që pamundësuan përparim në kapërcimin e krizës. Sipas tij, opozita nuk ka asnjë fjalë të keqe për kandidatët e propozuar, por nuk pranon ti votojë. Kjo bëhet tha ai pasi disa janë mësuar që gjithçka të bëhet sipas diktatit të tyre. Nuk dihet se si do të shkojë situata në vijim por kryetarja e Kuvendit Danijella Gjuroviq tha se është e gatshme të organizojë takim të ri, nëse për të ka vullnet politik. Edhe pse takim mund të ketë, pa një ndryshim thelbësor të qëndrimeve, pa marrë parasysh se nga cila anë, zgjidhje të krizës me siguri nuk do të ketë.

 

 

  • 1

    Radio