Aktuale Më shumë

Sulmi ndaj RTK dënohet nga qeveria e Kosovës

Prej tvteuta16:52, 23 Gusht 2016

Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi për media, dënoi ashpër sulmin me mjet shpërthyes ndaj Radio Televizionit të Kosovës, të kryer mbrëmjes e së hënës në rrethana ende të paqarta. Ekzekutivi kosovar e cilësoi sulmin si agresion ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë.

Qeveria i kërkoi organeve përkatëse që të zbardhin rastin dhe të vënë para drejtësisë autorët e tij. Më herët, policia e Kosovës njoftoi se ka nisur hetimet për incidentin e ndodhur në rrugë “Xhemajl Prishtina” tek objekti i RTK.Hetuesit thanë se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore. Autoritetet, veç mbledhjes së dëshmive dhe provave materiale, kanë nisur të shqyrtojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.

Policia njoftoi se si pasojë e shpërthimin nuk ka dëme në njerëz, ndërsa i kërkoi ndihmë publikut që të kontaktojë me autoritetet nëse ka informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Sulmi ndaj RTK është dënuar ashpër edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, zyrtarë të të cilit thanë se fajtorët duhen nxjerrë para drejtësisë dhe sulmet ndaj medias nuk duhen toleruar.

  • 1

    Radio