Aktuale Më shumë

“Sirin” hap edicionin e tetë të festivalit Seanema në Ulqin

Prej tvteuta11:23, 14 Shtator 2023

Edicioni i tetë i festivalit të filmit Seanema nis të enjten, më 14 shtator në ora 20:00 në Qendrën për kulturë në Ulqin, me shfaqjen e filmit “Sirin” nga regjisori malazez Senad Shahmanoviq i cili është xhiruar pjesërisht në Ulqin dhe në të cilin marrin pjesë aktorët nga Ulqini, Bashkim Alaj dhe Shefqet Luca.

Filmi “Sirin” është një bashkëprodhim i Malit të Zi, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili pas premierës në festivalin e Sarajevës në gusht, po bën xhiron në festivalet rajonale e më gjërë.

Risia e edicionit të tetë të Seanema është bashkëpunimi me Qendrën për kulturë i cili e sjell këtë edicion në formën e një bashkëprodhimi. Organizatorët theksojnë se ky ishte një hap i duhur për të siguruar qendrueshmërinë e tij, duke shpresuar se gjeneratat e reja do ta zhvillojnë më tej këtë nismë e cila lindi si një ide për ta rigjallëruar jetën kulturore në Ulqin, e që më pas u shndërrua në një fushatë kreative për rikthimin e kinemasë në Ulqin.

Festivali Seanema ka arritur ta zhvillojë karakterin e tij ndërkombëtar ndër vite, duke u profiluar si një pikë takimi e kineastëve nga rajoni e më gjërë. Këtë vit ai sjell kategorinë konkurruese të filmave të shkurtër rajonal, ku do garojnë gjithsej tetë tituj, pjesa më e madhe e të cilëve janë premirë në Mal të Zi: “Le të lulëzojnë lulet e vesës” nga regjisori malazez Ivan Bakraç (prodhim malazezo-serb), “Kujto se si kalërova kalin e bardhë” nga regjisorët Ivana Bosnjak Volda dhe Thomas Johnson Volda (prodhim kroat), “Historia e vërtetë e tregimit të një lufte” nga Andrea Sllaviçek (prodhim kroat), “Si mësova ti nder rrobat” nga Barbara Zemliç (prodhim slloven), “Gjiçka shkoi mbarë” nga Anja Jovanoviq (prodhim malazez), “Fantazmat mbi shpinën time” nga Nikolla Stojanoviq (prodhim serb), “Fran dhe Verka; ose ditë e zakonshme në një fshat të braktisur” nga Sovran Nrecaj (prodhim kosovar) dhe “Dëshmitari” nga Alen Shimiq (prodhim boshnjak).
Filmat e shkurtër në konkurrim do të shfaqen të premten dhe të shtunën, më datë 15 dhe 16 shtator, në ora 20:00 në sallën e Qendrës për kulturë.
Selektore e programit të filmave të shkurtër është dr Jelena Misheliq, bashkëpunëtore në mësimdhënie në Fakultetin e arteve dramatike në Cetinë, anëtare e Akademisë Europiane të Filmit dhe e shoqatës europiane Gratë në Artet Audiovizuale. Juria e kësaj kategorie përbëhet nga tre anëtarë: Aleksandra Gabrizhova, koordinatore e programit MIDPOINT Institute nga Sllovakia, Joana Zak producente dhe selektore festivalesh nga Polonia dhe Tan Kazazi, regjisor dhe producent nga Shqipëria.

Filmi përmbyllës i festivalit do të jetë “Ekskurzioni” i regjisores Una Gunjak, prodhim i Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Francës, Norvegjisë dhe Katarit, i cili muajin e kaluar kishte premierën botërore në festivalin e Lokarnos, ndërkaq këtë vit u përzgjodh si kandidat i Bosnjës dhe Hercegovinës për çmimin Oscar. Filmi përmbyllës do të shfaqet pas shpalljes së fituesëve të edicionit të tetë, më datë 17 shtator në ora 20:00 në sallën e Qendrës për kulturë.

Programet shtesë

Festivali vijon zhvillimin e segmentit edukativ, këtë herë përmes projektit Balkan x Visegrad Short Film Network, bashkëpunim ndërmjet pesë festivaleve të filmit të shkurtër: Seanema Film Festival nga Mali i Zi, Bashta fest nga Serbia, Drim Short Film Fest nga Maqedonia e Veriut, Short Waves Film Festival nga Polonia, BuSho Film Festival nga Hungaria dhe Azyl Shorts nga Sllovakia. Pesë ekipe filmike do të marrin pjesë në segmentin “Festival Ready” i cili zhvillohet gjatë ditëve të festivalit në bashkëpunim me mentorët nga Mali i Zi, Dushan Kasalica dhe Danijela Radulloviq. Ky segment mbështetet nga Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe Visegrad+ Fund.

Seanema këtë vit bashkëpunon edhe me OJQ Juventas në projektin “Clear the Air” përmes realizimit të një nate filmi dhe diskutimi të hapur mbi temën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila do të mbahet të shtunën, më datë 16 shtator në ora 18:00 në sallën e Qendrës për kulturë, ku do të shfaqet filmi “Qyteti i Zotit” (“City of God”) nga regjisori Fernando Meirelles. Ky segment mbështetet nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Edicioni i tetë përkrahet nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Malit të Zi.

  • 1

    Radio