“Të fiken dritat kur nuk janë të nevojshme dhe të zëvendësohen me drita efiçiente [kursyese]”, është rekomandimi kryesor i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike – KEDS.
Kosovën e ka prekur kriza globale energjetike, e cila është përkeqësuar prej se Rusia – ndër eksportueset kryesore të gazit në botë – ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
Çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, ka qenë rreth 430 euro për megavat në muajin gusht, krahasuar me 150 euro sa ka kushtuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kosova, po ashtu, ka kapacitete të reduktuara për prodhim, për shkak të termocentraleve të vjetra. Gjatë muajit gusht ka pasur reduktime disaorëshe në ditë.