Opinion Më shumë

Si dhe kur erdhën familjet malazeze  në  Mal të Brisë ?

Prej tvteuta19:48, 1 Qershor 2016

Shkruan: Gjekë Gjonaj

Mali i Brisë, bazuar në dokumente arkivore të Cetinës, në kohën e sundimit turk ka qenë i banuar me malësorë nga Kelmendi, Shkreli e Kastrati, të cilët këtë lokalitet e shfrytëzonin  gjatë stinës së dimrit, sepse konsiderohej si vend i përshatshëm për kullosa të mira. Supozohej se  në këtë territor, përveç atyre që vinin çdo dimër, kishte të vendosura rreth  70 familje malësorësh  të përhershme. Malësorët këtë territor, pronësia e të cilit ishte e padefinuar,  e shfrytëzonin  edhe për pyje, për prodhimin e qymyrit dhe të gëlqeres.  Disa nga ata, edhe pse me përfundimin e dimrit ktheheshin në bjeshkët prej nga kishin ardhur, pas disa kohe  filluan të  vendosen si  banorë të përhershëm, duke rrethuar disa qindra rrallë tokë. Ky veprim i malësorëve nuk pengohej nga  pushteti turk. Por pas marrjes së këtij territori nga Mali i Zi malësorëve  nuk u është njohur kjo e drejtë. Secili që ka pretenduar këtë  është dashur të posedojë  tapinë ligjore  për tokën në të cilën ka jetuar. Për këtë qëllim  në vitin 1883 është ngritur një komision sipas të cilit vetëm një malësor ka pasur tapinë e tokës. Këtë rrethanë Mali i Zi e ka shfrytëzuar dhe  në vitin 1884  e shpall Malin e Brisë  pronë të shtetit. Me këtë vendim të qeverisë malazeze malësorëve u ndalohet shfrytëzimi i mëtejshëm i  tokës, kullotave dhe pyjeve pa pagesë në këtë territor.Të njëjtin vit  qeveria malazeze urdhëron që çdo malësor që ka qenë banorë i përhershëm dhe dëshiron të shfrytëzojë pronën shtetërore si kullosë duhet të paguajë rreth 400 napoleona në vit. Shpallja e Malit të Brisë pronë shtetërore  nga krajli  dhe qeveria malazeze  u bë me qëllim të konfiskimit final të kësaj toke, largimit (zhvendosjes) të malësorëve dhe kolonizimit me banorë malazezë.

Këtyre synimeve ogurzeza dhe qëllimkqia të krajlit  dhe qeverisë malazeze malësorët u rezistuan  deri në vitin 1891, kur edhe largohen me luftë  nga ky lokalitet. Malin e     Brisë pas largimit të malësorëve  krajli  e shpall “ Territor të vetin të paprekshëm ” . Pas largimit  të malësorëve  ky rajon  u lejohet ta shfrytëzojnë kuçasit  dimrit për kullosa. Kuçasit, sikurse më parë malësorët,  vinin  çdo dimër me bagëti, duke i shfrytëzuar  kasollat ( dbanet) e malësorëve, të cilat kanë mbetur pas tyre.  Kolonizimi i Malit të Brisë realizohet  në vitin 1902. Atë vit krajli  vendosi që  toka e punueshme në këtë territor  t’u ndahej familjeve malazeze të cilat kishin ardhur më parë dhe ishin vendosur në rajonin e Ulqinit. Sipas rregullores   të aprovuar nga   Ministria e Punëve të Bredshme, me 1 prill 1902, mbi ndarjen dhe kolonizimin e Mailt të Brisë, çdo familjeje malazeze i është ndarë nga dy rrallë tokë dhe  hapësirë për ndërtimin e shtëpisë.

Për numrin e familjeve koloniste malazeze në Mal të Brisë nuk ka të dhëna, por në dokumente  historike thuhet se  pas shpërnguljes së malësorëve kishin ardhur 100 familje kuçase, kurse në vitin 1898 kanë ardhur 516 frymë. Ndërkaq gjykuar sipas nenit 2 të Ligjit mbi kolonizimin ne Malit të Brisë, i cili është miratuar më 9 shkurt 1910, ky numër nuk ka mundur të jetë më i madh se 60.  Me këtë ligj familjeve koloniste u është njohur e drejta e shfyrtëzimit të tokës të cilën e kanë punuar deri tash ( rreth 120 rrallë). Përveç kësaj u është ndarë edhe nga  4 parmendë ograjë).  Çdo banor i ri, i cili  do të vendoset në Malin e  Brisë, do të fitonte ndihmë nga shteti një ka dhe 150 perperë, me kusht që aty të jetojë si i përhershëm ose të paktën tri vjet radhazi.Kolonistët janë bërë pronarë të ligjshëm të tokës  10 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, respektivisht nga dita e vendosjes së tyre nëse janë vendosur pas miratimit të këtij ligji.  Tokën që e kanë fituar  nuk ka mundur t’ua marrë askush derisa  kanë banuar aty dhe derisa e kanë punuar. Në të kundërtën toka ka kaluar në pronësi të shtetit. Secila familje ka qenë e detyruar ta rrethojë tokën. Pjesa tjetër e  hapësirës tokësore të Malit të Brisë e cila nuk është shpërndarë është shpallur komunë e të gjithë familjeve të vendosura në  Mal të Brisë. Thuhet se numri i familjeve të vendsoura në këtë rajon menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nuk ka qenë më i madh se 60-70.

Kërkesat për të fituar të drejtë vendosjeje në këtë  territor shtoheshin vazhdimisht. Në mesin e shumë familjarëve shqiptarë  që paraqitën kërkesën zyrtare për të jetuar në Mal të Brisë është edhe  Luka i Tomës ( sllavisht Lluka Tomov)  nga Trieshi,  e cila do t’i mundësonte atij që ta shfrytëzonte edhe kullosën shtetërore përreth shtëpisë, ashtu siç e shfrytëzonin edhe malazezët e tjerë.

  • 1

    Radio