Sami Flamuri: Moikom Zeqo, emër i përvetshëm i letrave, analizave dhe literaturës shqipe

Prej tvteuta15:59, 15 Qershor 2020

Shkruan: Sami Flamuri

Moikom Zeqo, i mprehtë, shumëdimensional, i kultivuar. Emër i përvetshëm i letrave, analizave dhe literaturës shqipe. Kur lexon Moikomin, humbet në një univers kompleks, me shumë dimensione, me të vërteta dhe përjetime që vetëm ai di të përcjellë. Metaforat e Moikomit ishin vetëm të Moikomit. Elegante, të menduara hollë dhe me shumë mjeshtëri nga euriditi jonë. Nuk i mungonte misteri. E ndoshta kjo i shtonte dozat e origjinalitetit dhe veçantisë literaturës moikomjane. Poeti, jo vetëm që diti ta thotë pastër të pashprehshmen, të padukshmen, të pakapshmen e poezisë së jetës, por shkon më tutje, na bën dhe ne të reflektojmë mbi nocionet, mbi pyetjet më të thella për jetën. I adhurojmë shpirtin, i dashurojmë humanizmin dhe përpiqemi të kuptojmë mistiken mojkomjane. Dhe në fakt mistikja tek Moikomi, është një fakt kulturor, është përgjegjëse e historisë, është kuriozitet më vete. Moikomi nuk bie asnjëherë në vulgaritet, por jep argumentin e tij racional, me një shqipe të zgjedhur, të pastër dhe autentike. Poezia e tij emancipon, mrekullon, ndërgjegjëson e të bën të reflektosh mbi jetën. Moikomi ynë është një njeri i mendimit të nivelit europian, i përkthyer edhe ndërkombëtarisht. Vetëm diçka më ngel merak. Nuk është i njohur në botë aq sa duhej ta meritonte krijimtaria e tij. Por ky nuk është faji i euriditit tonë. Shumë poetë, shkrimtarë, kanë ikur nga kjo jetë pothuajse të panjohur. Ama për diçka jam e qetë. Koha do ti japë vendin që meriton këtij poeti madhështor. Nga ana tjetër, nuk mungojnë artikujt që i cilësojnë librat e Moikomit si shumë të çuditshëm, disa herë të pakuptueshëm dhe abstraktë. Kjo ndoshta sepse shprehjet e tij flururojnë në lartësi të mëdha mbi re, dhe e bëjnë të veshtrirë të kuptohet pastër nga lexuesi i thjeshtë. Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, qetësi dhe padyshim shumë dashuri. Sepse ai e meriton këtë dashuri. Ai vetë ka dhënë dhe jep dashuri. Të shkruash ndryshe poezinë kërkon jo vetëm zotërimin e arsenalit të saj krijues, të mjeteve bazë të mjeshtërisë artistike, por edhe një rivlerësim tërësor artistik dhe estetik të tyre, përpos zgjedhjes së mjetit më të përshtatshëm dhe adekuat për ta realizuar këtë qëllim. Zeqo është një dhuratë nga zoti, një bibliotekë e gjallë diturie dhe emancipimi.Sot ai ndahet nga kjo jet në një përjetsi.

  • 1

    Radio