RMV për herë të parë me kryeministër shqiptar
Prej tvteuta09:55, 28 Janar 2024
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë sot Qeverinë teknike me kryeministër të mandatuar Talat Xhaferin.
Në ora 11:00 do të fillojë seanca me një pikë të vetme të rendit të ditës – zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Roli dhe kompetencat e kryeministrit teknik, i cili buroi si ide e negociatave të “Përzhinës” në vitin 2015 është i kufizuar, përkatësisht është i cunguar nga fuqia ekzekutive.
Ligji mbi Qeverinë përcakton kompetencat e organit ekzekutiv dhe të resorëve brenda saj, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga opozita apo kanë zëvendësministra plotësues
“Të gjitha aktet e kompetencave udhëheqëse duhet të nënshkruhen nga zëvendësi plotësues, përkatësisht zyrtari udhëheqës-plotësues. Derisa akti nënshkruhet vetëm nga një person, konsiderohet se i njëjti nuk ka fuqi juridike dhe nuk mund të ekzekutohet”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 44.
Talat Xhaferi në cilësinë e kryeministrit të mandatuar i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, përfshirë edhe programin qeverisës.
Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpalosur emrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të parë shqiptar.
Emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.
Për Qeverinë teknike duhet të votojnë gjysma e deputetëve apo 61 nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO DPMNE-së, shumica aktuale ka numrin e nevojshëm për të miratuar Qeverinë e re.
Votimi i Qeverisë teknike duhet të bëhet më së voni deri të dielën në mesnatë.