Aktuale Më shumë

Regjistrimi i popullsisë vitin tjetër?

Prej tvteuta15:55, 26 Tetor 2022

Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Mal të Zi mund të bëhet në maj deri në vjeshtë të vitit 2023, tha përfaqësuesi i propozuesit, ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq. Në seancën e Komisionit Legjislativ, i cili shqyrtoi Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave, ai tha se ligji duhet të ishte miratuar më herët, sepse nga momenti i miratimit në Kuvend duhet të kalojë gjysmë viti që të krijohen të gjitha parakushtet institucionale dhe organizative për të kryer regjistrimin.

Damjanoviq tha se supozohet se ligji mund të miratohet në seancën e Kuvendit që është caktuar për 1 nëntor ose gjatë seancave që mund të jetë në tetor, nëntor ose dhjetor, varësisht nga dinamika. Deputetja e PSD-së, Draginja Vukanoviq Stankoviq, tha se është e papranueshme të propozohet një ligj kaq i rëndësishëm kur qeveria është në mandat teknik. Ajo theksoi se ligji nuk është në përputhje me ligjet e tjera dhe Kushtetutën e Malit të Zi.

Deputeti i Frontit Demokratik (DF) Dejan Gjuroviq tha se kryerja e regjistrimit është një detyrim ndërkombëtar dhe se askush në Mal të Zi nuk mund të ketë asgjë kundër regjistrimit. Kryetari i PL, Andrija Popoviq beson se regjistrimi duhet të bëhet, por siç tha ai, “jo në atë mënyrë që të shkaktojë përçarje të mëtejshme”. Deputeti i Demokratëve, Vladimir Martinoviq, theksoi se regjistrimi i popullsisë nuk duhet të politizohet dhe të kthehet në konflikt, para së gjithash brenda ortodoksëve në Mal të Zi. “Mendoj se duhet të kemi një regjistrim të drejtë dhe të lirë, ku të gjithë ne si njerëz të përgjegjshëm duhet të luftojmë kundër çdokujt që mundohet të ndikojë sesi dikush do të deklarohet… Nëse dhe kur të ndodhë, u bëj thirrje qytetarëve të votojnë plotësisht të lirë, të deklarohen pa presione nga njëra anë apo tjetra”, tha Martinoviq.

 

  • 1

    Radio