Rajoni/Bota Më shumë

Raporti i Progresit për Kosovën publikohet me 12 tetor

Prej tvteuta18:30, 7 Tetor 2022

Komisioni Evropian do të publikojë me 12 tetor Raportin e Progresit për Kosovën. Lajmi është konfirmuar për Radio Kosovën, nga Zyra e Bashkimit Evropianë në Kosovë. Çdo vit Komisioni Evropian publikon Raportin e Progresit për vendet e  Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë dhe tregon  për reformat që duhen bërë vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Vitin a kaluar në Raportin e Progresit për Kosovën ishte kërkuar  normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në raport bëhej  thirrje që Kosova të angazhohej në mënyrë më konstruktive në dialog dhe po ashtu të bëjë përpjekje për implementimin e gjitha marrëveshjeve të kaluara që janë nënshkruar. Raporti  i vitit 2021 kishte vlerësuar se Kosova kishte plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën (i vetmi vend nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash) do të jetë në rend të ditës, në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian  që mbahet më 13 tetor të këtij viti. Paketa  e zgjerimit, që përfshin edhe Raportin e Progresit,  mbulon gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin i Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë si dhe Turqinë. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit.  Me Malin e Zi, Bashkimi Evropian ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces. Turqia ka filluar negociatat gjithashtu për anëtarësim në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  në korrik të këtij viti hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.

  • 1

    Radio