Aktuale Më shumë

Qytetarët i bëjnë kordon nderi kampiones evropiane në atletikë, Luiza Gega

Prej tvteuta18:21, 23 Gusht 2022

Atletja Luiza Gega, që para pak ditësh u shpall kampione evropiane në disiplinën 3000 metra me pengesa, ka parakaluar sot në qytetin e Tiranës ku është pritur nga shumë njerëz.

Më pas asaj i është dorëzuar Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike nga kryeministri Edi Rama.

Gega u shpreh se sporti nuk ka lidhje me politikën dhe se kohët e fundit janë ndryshuar shumë elemente në sport, gjë që ka bërë të ketë edhe triumfe të tilla, sipas saj.

Ajo u shpreh se ka pasur mjaft oferta për t’u larguar nga vendi, por nuk e ka pranuar një gjë të tillë, pasi besonte që një ditë do të arrinte synimet e saj dhe një gjë të tillë e donte nën petkun e flamurit kuqezi.

“Sot ndihem më e emocionuar se kurrë. Vendosa të vij me ngjyrat Kuq e Zi sepse ndihem më krenare që kurrë, jo për atë që arrita por doja t’i tregoja Evropës që ne mund t’ia dalim. Sporti nuk do t’ia dijë për politikë, ju falënderoj për anën njerëzore dhe gjithë mbështetjen e vazhdueshme. Faleminderit të gjithëve për fjalët e bukura që thatë për mua”, ka thënë Gega.

Luiza Gega ka fituar medaljen e artë në Evropianin e mbajtur në Munih.

Është ky suksesi më i madh në karrierën e 33-vjeçares e po ashtu i atletikës shqiptare në përgjithësi. Gega ka arritur në finish për 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qindëtat. Ajo ka vendosur rekord të kampionatit evropian. Medalja e argjendtë i takoi gjermanes Lea Meyer, ndërsa të bronztën e fitoi britanikja, Elizabeth Bird.

  • 1

    Radio