Aktuale Më shumë

Pse po hallakatet Nik Gjeloshaj?!

Prej tvteuta22:14, 12 Shkurt 2015

Tekst i publikuar ne portalin Ulqini online

Ali-salajShkruan: Ali Salaj

Deputeti nga Malësia, Nik Gjeloshaj, prej botës së tij të mbyllur virtuale në Facebook, “i mbrojti” nga unë deputetët nga Ulqini, Genci Nimanbegu dhe Dritan Abazoviqi. “I mbrojti” Nika dy personalitete që nuk hynë aksidentalisht në politikë si dhe nuk u konvertuan në deputetë  me votat e partive të tjera. Nimanbegu dhe Abazoviqi nuk kanë nevojë për sufler sepse ata e kanë dëshmuar që janë të aftë të mbrohen jo nga politikanët lokalistë dhe provincialistë, por edhe nga  politikanët më të sofistikuar në vend.
Angazhimi i tyre për çështjen e gazetës “Koha javore” asnjëherë nuk është heshtur, por siç duket i zhytur në botën e tij virtuale në Facebook, Nika nuk i ndjekë mediat në Mal të Zi. Prej themelimit të Grupit të punës dhe takimit të tij të parë, ku mora pjesë edhe unë, aktiviteti i tyre është pasqyruar me tekst dhe me fotografi në të gjitha mediat shqipe në Mal të Zi dhe në rajon. Me Nimanbegun dhe Abazoviqin kemi zhvilluar me dhjetëra intervista dhe deklarata për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, si për “Zërin e Amerikës” ashtu edhe për “Kohën javore”, kurse  Nika, përkundër insistimit tonë, nuk pati kurrë guximin dhe kurajon që si drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për arsimimin e pjesëtarëve të popujve pakicë në Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi, të prononcohet vetëm një herë për pozitën e arsimit shqip në këtë vend.
Puna e deputetit në Parlament është një veprimtari publike e detyrueshme që vlerësohet jo nga unë, por nga opinioni i përgjithshëm e posaçërisht nga zgjedhësit që u kanë dhënë votën. Unë si redaktor e kam obligim moral të falënderoj diasporën shqiptaro-amerikane për angazhimin e tyre, që nga prilli i vitit 2009, në mbrojtjen e gazetës së vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Është kjo e njëjta diasporë që solli në Mal të Zi personalitetet më me ndikim të politikës amerikane si Tom Lantos, Dona Rorabacher, Joseph Dioguardi etj., të cilët mbrojtën çështjen shqiptare dhe organizuan edhe seanca dëgjimore në Kongresin amerikan. Ishin aktivë derisa u lodhën me mosmarrëveshjet, bajraktarizmat, interesat personale dhe primitive të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi. Ishin aktivë deri kur hetuan se këto subjekte nuk dinë dhe nuk duan të kenë një platformë të përbashkët për çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi. Ishin aktivë deri kur ju ra në sy se faktorit  politik më shumë i interesojnë donacionet dhe përfitimet sesa mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve.
Përse atëherë duhet të hallakatet Nik Gjeloshaj kur edhe ai vetë e pranon ndikimin e diasporës shqiptaro-amerikane në mbrojtjen e çështjes së gazetës “Koha javore”? Apo Nika përpiqet që tërthorazi të na sinjalizojë se “deputetët shqiptarë punojnë”. Shumë mirë që punojnë. Me siguri do të formojnë grupe të tjera pune: për statusin e Komunës së plotë të Malësisë, për arsimin shqip në Mal të Zi, për përdorimin e lirë të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, për përfaqësimin autentik, për privatizimet e dështuara, për menaxhimin e vijës bregdetare, për hapjen e kanalit të veçantë në gjuhën shqipe në TVMZ, duke i zgjidhur përfundimisht këto çështje.
Shumë mirë që punojnë. Fjala vjen deputeti Nik Gjeloshaj gjatë tërë mandatit të tij po merret vetëm me gjuetarët e Malësisë dhe me territorin e tyre. Këtë çështje e konsideron si një problem jetik  për shqiptarët në Mal të Zi. Bën mirë të merret edhe me gjuetarët e Anës së Malit dhe të Ulqinit, pasi me votat e tyre gjendet aty.
Një person që pretendon të merret seriozisht me politikë nuk i lejohen shkarjet as në Facebook, sepse çdo hallakatje mund t’i kthehet si bumerang. Tek e fundit, pas çdo beteje dalin shumë heronj, të cilët janë të etshëm për lavdi, por koha është ajo që bën diferencimin.

  • 1

    Radio