Policia e Ulqinit: Alkooli dhe shpejtësia problemet kryesore në komunikacion. Për një muaj dënohen 703 persona

Prej tvteuta15:17, 5 Shtator 2022

Rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion në periudhën e fundit me pasoja shumë të rënda, është një paralajmërim serioz se drejtuesit e pandërgjegjshëm të automjeteve duhet të sanksionohen, thonë nga Dega e Sigurisë në Ulqin. Gjatë muajit gusht në komunën e Ulqinit kanë ndodhur 34 aksidente trafiku, prej të cilave 14 kanë rezultuar me të lënduar dhe 20 me dëme materiale. Vetëm fundjavën e kaluar kanë ndodhur 5 aksidente trafiku ku dy persona kanë pësuar lëndime të rënda, në një rast në rrezik për jetën, thonë nga policia.

Të dhënat statistikore për numrin e drejtuesve të sanksionuar (drejtimi i automjeteve nën ndikimin e alkoolit, shpejtësia e madhe, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore) janë një paralajmërim serioz. Gjatë muajit të kaluar, zyrtarët e policisë së trafikut në komunën e Ulqinit kanë sanksionuar 703 persona. Si rezultat i kontrolleve të kryera, si përmes kontrolleve të rregullta të pjesëmarrësve në trafik ashtu edhe përmes veprimeve të planifikuara të kontrollit të përforcuar të trafikut, janë konstatuar dhe përjashtuar nga trafiku rreth 97 persona të cilët kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Në bazë të kësaj, 15 persona janë privuar nga liria.

Shqetësues është fakti se një numër i madh i shoferëve të rinj (deri në 24 vjeç) janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Nga Policia e Ulqinit thonë se duke analizuar gjendjen në komunikacion dhe shkakun e aksidenteve, arrihet në përfundimin se, në përgjithësi, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve të trafikut në qytet dhe në rrugë janë shpejtësia e papërshtatshme dhe drejtimi nën ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, problem paraqet edhe fakti se persona të caktuar, kryesisht të brezit të ri, organizojnë gara në orët e vona të mbrëmjes në rrugët kryesore dhe rajonale, ku rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, ndaj apelojmë që prindërit të kenë kujdes për lëvizjet dhe sjelljen e fëmijëve të tyre dhe që të gjithë të kontribuojmë në ngritjen e nivelit të përgjegjësisë tek popullata e re. Në periudhën në vijim, punonjësit e Degës së Sigurisë në Ulqin do të intensifikojnë aktivitetet e tyre si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës, me fokus në rritjen e kontrolleve për shpejtësinë dhe drejtimin nën ndikimin e alkoolit, duke marrë masa më të rrepta dhe sanksione ndaj drejtuesve të pakujdesshëm, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

 

  • 1

    Radio