Aktuale Më shumë

Picula: Mali i Zi ka bërë regres dramatik në rrugën drejt BE

Prej tvteuta18:24, 15 Nëntor 2022

Tonino Picula, deputet dhe raportues i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ishin zgjidhja më e mirë për “revitalizimin” e institucioneve malazeze dhe daljen nga rënia institucionale që ka ngadalësuar “dramatikisht” rrugën drejt BE-së.

“Në vend të tentativave të pasuksesshme për riorganizim dhe manovra të dyshimta për ruajtjen e kësaj përbërje të Kuvendit, tashmë disa herë e kam vlerësuar se më së miri për shëndetin e institucioneve do të ishte që të zhvillohen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kjo do të ishte lëvizja më legjitime me synimin për të formuar një shumicë të qartë parlamentare. Në të njëjtën kohë, kjo do të përfaqësonte një rrugëdalje nga trendi i regresionit institucional, sepse rruga e Malit të Zi drejt BE-së është ngadalësuar në mënyrë dramatike. Nuk mund të anashkalohet as konteksti i rrethanave të ndryshme gjeopolitike në të cilat jetojmë, ku nuk duhet vënë në pikëpyetje drejtimi i vendosur euroatlantik i Malit të Zi”, ka thënë Picula për “Vijesti”.

Ai ritheksoi se vlerat dhe normat e trashëguara dhe të zhvilluara nga BE-ja bazohen në respektimin dhe zbatimin konsekuent të ligjit si dhe parimeve demokratike, duke thënë se këto postulate janë shkelur me ndryshimet në Ligjin për Presidentin. Picula tha se protestat për ndryshimet në ligj kanë sfond partiak, pavarësisht se formalisht organizohen nga një organizatë civile, por mesazhet  për shkaktimin e paqëndrueshmërisë kushtetuese, siç shprehet ai, fatkeqësisht janë të sakta.

I pyetur për të komentuar për rastet e mëparshme të shkeljes së Kushtetutës  ai përsëriti se respektimi i aktit më të lartë ligjor është një nga parimet themelore të sistemeve juridike evropiane.

 

  • 1

    Radio