Sporti Më shumë

Pasi luftoi për Ukrainën, Lomachenko rikthehet në ring

Prej tvteuta12:58, 29 Tetor 2022

Kur Ukraina u pushtua, lufta e vetme që Vasiliy Lomachenko do ta merrte në konsideratë ishte ajo për shtëpinë e tij. Planet e boksit u vunë në pritje edhe pse dukej se ato do të përfshinin një meç për titull. Lomachenko e quan ëndërr të tij të qenët kampion i padiskutueshëm, por lufta e vendit të tij me Rusinë është jeta reale.

“Unë nuk mund të kuptoja asgjë për atë që po ndodhte ushtarakisht”, tha Lomachenko përmes një përkthyesi. “Por brenda vetes kisha një ndjenjë të asaj që duhet të bëja”.

Tani ai po rifillon karrierën në boks. Bokson të shtunën mbrëma në Teatrin “Hulu” në Madison Square Garden kundër të pamposhturit, Jamaine Ortiz, në një meç që do të transmetohet në “ESPN+”.

Nëse fiton, Lomachenko (16-2, 11 KO) mund të fitojë një tjetër shans për të luftuar për titujt e kategorisë së lehtë që i zotëronte dikur. Por sido që të jetë, fillimisht ai do të kthehet në Ukrainë. Ylli i boksit beson se Ukraina është mjaft e sigurt tani për të lejuar familjen e tij të kthehet në shtëpi, pasi ka qëndruar me të në Kaliforni gjatë fazës stërvitore.

Askush nuk besonte se Rusia do ta niste pushtimin ndaj Ukrainës në muajin shkurt. Lomachenko ishte në Greqi në atë kohë, në pritje të një lufte kundër kampionit të atëhershëm të kategorisë së lehtë George Kambosos Jr. që ishte planifikuar për më vonë gjatë vitit. Ai u kthye në Ukrainë dhe u bashkua me një batalion të mbrojtjes territoriale, duke u thënë këshilltarëve të tij se nuk do të ishte në dispozicion për të boksuar në atë meç.

“Kur ndodhi gjithë kjo situatë, kur filloi pushtimi, askush nuk dinte asgjë”, shtoi Lomachenko. “Dhe kur nuk e di arsyen e pushtimit, atëherë çdo person normal shkon për ta mbrojtur vendin e tij. Pra, edhe unë sikurse shumica e meshkujve u ktheva për ta mbrojtur Ukrainën duke e lënë karrierën e boksit pezull”.

Për Lomachenkon kjo do të thoshte të ishte pjesë e një ekipi që ishte në funksion nga ora 22:00, duke patrulluar në rrugë për t’u siguruar që nuk kishte makina në horizont. Pas rreth një muaji ai u trajnua për të marrë pjesë në disa detyra të tjera.

“Jo operacione ushtarake, por detyra të caktuara”, zbulon Lomachenko. “Për shembull, ne duhej të dilnim në një zonë periferike të qytetit për të kontrolluar dhe garantuar që në atë zonë të mos ketë njerëz të huaj, pra të panjohur”.

Lomachenko është një nga sportistët më të mëdhenj të Ukrainës, dy herë fitues i medaljes së artë olimpike, i cili kishte bilanc 396-1 si boksier amator. Pasi u bë profesionist, ai fitoi titull në luftën e tretë dhe ishte kampion në tri kategori pas meçit të 12-të. Ai zotëroi tre breza të kategorisë së lehtë përpara se t’i humbiste nga Teofimo Lopez në tetor të vitit 2020. Dy fitore radhazi pas operacionit në shpatull e bënë Lomachenkon të pretendonte tituj të tjerë.

Lomachenko mori pushime nga shërbimi ushtarak për t’u stërvitur, kështu që ai nuk beson se koha e tij larg boksit do të ndikojë në ritmin dhe punën e këmbëve që janë ndër më të mirat në këtë sport. Ortiz (16-0-1, 8 KO) nuk pret të shohë gabime nga Lomachenko, me të cilën më përpara ka bërë sparing.

“Unë mendoj se kundërshtari përballë jush nxjerr në pah llojin e luftëtarit që jeni,” tha Ortiz. “Dhe mendoj se Lomachenko do të nxjerrë versionin tim më të mirë në këtë meç të rëndësishëm”.

Lomachenko nuk shqetësohet për mundësinë e humbur shkaku i luftës. Ai thotë se është rikthyer në ring dhe gradualisht do t’i kthejë edhe titujt.

“Nuk jam fare i penduar. Gjithçka ndodhi ashtu siç duhej të ndodhte”.

Ai nuk shqetësohet se gjasat për të rifituar brezat do të jenë më të vogla, sidomos tani që Devin Haney i ka ata, pasi e mposhti Kambososin.

“Jam gati për t’i kompensuar të gjitha. Besoj se secila fitore tash e tutje do të jetë e ëmbël”, tha Lomachenko duke buzëqeshur.

  • 1

    Radio