Osmani, diskuton çështjen e vizave dhe të dialogut
Prej tvteuta8 October 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me të cilët ka biseduar për çështjen e vizave dhe dialogut. Takimi trepalësh u zhvillua në margjina të samitit inaugurues të platformës së Bashkësisë Politike Evropiane, që u mbajt në Pragë. Sipas njoftimit, Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për “angazhimin e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së”. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo çështje do të jetë në rend dite të Këshillit Evropian më 13 tetor.