Rajoni/Bota

Politikë Më shumë

Ndihma e Malit të Zi për vizat, e paefektshme

Prej tvteuta17 November 2016

Moskryerja e detyrimeve të institucioneve të Kosovës karshi Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave ka bërë që të kërkohet ndihma e Malit të Zi. Krerët e institucioneve të Kosovës i kanë kërkuar homologëve të tyre malazezë që t’i drejtohen BE-së me një letër për t’i kërkuar që të mos përdoret demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por një kërkesë e tillë po shihet joserioze dhe e paefektshme, pasi BE-ja nuk merr parasysh kërkesa të tilla të njëanshme për ndryshimin e rregullave të vëna. Një kërkesë të tillë të hënën e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se zyra e tij ka kontaktuar me zyrtarët e Malit të Zi për një gjë të tillë.Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorrolli, ka thënë se kërkesa e BE-së për liberalizim të vizave nuk është kërkesë që ka të bëjë me marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës e Malit të Zi, por ka të bëjë me detyrat e papërfunduara të Kosovës në raport me shtetet fqinjë dhe kjo në këtë rast e implikon edhe Malin e Zi, meqë bëhet fjalë për kufirin shtetëror mes dy vendeve që pretendojnë të jenë anëtare të BE-së.