Ministri Bajrami premton kushte më të mira për studentët nga Mali i Zi
Prej tvteuta18 July 2016

Me ftesë të Këshillit Kombëtarë të Shqiptarëve , për vizitë zyrtare në Mal të Zi, po qëndron Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës z. Arsim Bajrami. Fillimisht ai është pritur nga kryetari i Komunës së Ulqinit z.Nazif Cungu, kryetari i kuvendit Loro Nrekiqi, dhe nënkryetarët me të cilit ka biseduar për çështje aktuale, siç është ai i rregjistrimit të studentëve tanë në Universitetin e Prishtinës por, edhe për problemet që përcjellin arsimin shqip në Mal të Zi. Ishte konstatim i përgjithshëm që Kosova për dekada të tëra ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shkollimin e të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi, për çka shqiptarët dhe strukturat e tyre udhëheqëse u janë shumë mirënjohëse. Ministri Bajrami tha se edhe këtë vit akademik dyert e Universitetit të Prishtinës do të jenë të hapura për të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi. Përveç takimit me kryetarin e komunës , ministri Bajrami, u takua edhe me kryetarin e KKSH-së Genci Nimanbegun dhe anëtarët e tjerë të këshillit, ministri Bajrami premtoi për të gjithë studentët shqiptar të Malit të Zi vende të mjaftueshme në Universitetin e Prishtinës, por gjithashtu do të ndajnë bursa në mënyrë që të rritet numri i të interesuarve. Genci Nimanbegu, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve është i kënaqur me bashkëpunimin me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të cilët premtuan se do të mundohen të eliminojnë zbrazëtirat që gjenden në arsimin shqip në Mal të Zi, gjithashtu është i lumtur që ministri premtoj donacione me tekste shkollore dhe lektyra.