Sociale Më shumë

Millosheviq dhe Harasani vizituan Anën e Malit: Premtuan ndihmë për kapërcimin e problemeve të sigurisë

Prej tvteuta17:24, 29 Prill 2021

Zona kufitare e Anës së Malit ka disa muaj që përballet me problemin e vjedhjeve. Edhe pse ka pasur disa rezultate në këtë drejtim, me ndalimin e tre personave të dyshuar për këto krime, përsëri ato kanë vazhduar, edhe pse me një ritëm më të ulët. Lidhur me këtë problematikë, por edhe për të diskutuar për çështje të tjera, në këtë zonë sot qëndroi për vizitë sekretari shtetëror për kontrollin e punës së policisë, Rade Millosheviq, i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Inspeksioneve Ilir Harasani, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal të Ulqinit.

“Kemi marrë ftesë për të vizituar këtë zonë pasi banorët kohët e fundit kanë pasur probleme me disa akte kriminale, dhe unë e kam pasur kënaqësi që të vij dhe të ndëgjoj nga afër hallet dhe sugjerimet e tyre. Nëse duam të kemi rezultate të mira atëherë duhet të jemi të gatshëm të dëgjojmë edhe palët e tjera. Shumica e problemeve të diskutara sot mund të zgjidhen dhe për këtë personalisht do tu drejtohem organeve kompetente në mënyrë që të vihet tek rezultatet e kënaqëshme.”-tha Millosheviq

Përfaqësuesit e bashkësive lokale të kësaj treve, thonë se me policinë kanë bashkëpunim të mirë por mungesa e kuadrove kufizon efikasitetin e tyre, për çka kërkojnë që në këtë zonë të formohet Dega e Sigurisë.

Banorët e zonës ishin të interesuar edhe për çështje të tjera si lehtësimi i kalimit të pikës kufitare për vendasit gjatë sezonit turistik, në mënyrë që të evitohen radhët e gjata, apo edhe ndryshimet në Ligjin për nështetësinë. Sekretari Millosheviq tha se për problemet që nuk janë në kompetencë të tij do të njoftojë kolegët në organet përkatëse, kurse për të tjerët premtoi angazhim maksimal në kapërcimin e tyre.

  • 1

    Radio