Politikë

Aktuale Më shumë

Millatoviq: Mali i Zi mbetet i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me Zvicrën

Prej tvteuta24 May 2024

Presidenti i vendit, Jakov Millatoviq, priti ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignacio Kasis, i cili përfaqëson vizitën e parë zyrtare të një zyrtari zviceran në Mal të Zi. Me atë rast, presidenti theksoi se Mali i Zi mbetet i përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Zvicrën, si një vend që ruan traditën shekullore të vlerave evropiane dhe demokratike. “Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit thelbësor ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke pasur parasysh se Zvicra është ndër tre investitorët më të mëdhenj të huaj në Mal të Zi në pesë vitet e mëparshme”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Millatoviqit. Presidenti Millatoviq theksoi se anëtarësimi i plotë në BE është synim prioritar i politikës së jashtme të vendit tonë dhe se Mali i Zi është i vendosur të vazhdojë me reformat në mënyrë që të përmbushë sa më shpejt obligimet nga procesi i negociatave. Ministri zviceran shprehu kënaqësinë për takimin dhe vlerësoi progresin evident demokratik të vendit tonë në periudhën e kaluar, si dhe vlerësoi se Mali i Zi përfaqëson një faktor të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit u shpreh interesi i ndërsjellë për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës dhe turizmit. Në fund, ministri zviceran i ka përcjellë presidentit Millatoviq ftesën e presidentit zviceran për të marrë pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën, i cili do të mbahet në nivel të lartë muajin e ardhshëm në Burgenstock. Qëllimi kryesor i samitit të ardhshëm, në të cilin do të marrin pjesë liderë të shumtë botërorë, është të sigurojë një platformë për dialog dhe vendosjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Ukrainë.