Aktuale Më shumë

MANS: Vazhdon keqpërdorimi i institucioneve në zgjedhje

Prej tvteuta13:25, 27 Tetor 2022

Lidhur me fushatat e subjekteve politike në zgjedhjet lokale të 23 tetorit, kanë reaguar edhe nga OJQ MANS, e cila thotë se edhe në këtë fushatë ka pasur keqpërdorim të ndërmarrjeve publike për të ndikuar tek votuesit. Fushatat ku partitë shfrytëzuan më së shumti avantazhin institucional ishin në Podgoricë, Bijello Polje dhe Rozhajë, por nuk munguan as në komunat e tjera. Fushata zyrtare dhe përdorimi i avantazhit institucional u kritikuan nga misioni ODHIR gjatë zgjedhjeve të mëparshme parlamentare si një formë abuzimi me burimet publike për qëllime të partive politike.

Në komunat ku përbëjnë pushtetin në nivel lokal, partitë politike shfrytëzuan pak më shumë se dy muaj të fushatës parazgjedhore për të intensifikuar aktivitetet, kryesisht në punimet infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve, rregullimin e parqeve dhe zonave të gjelbra, si dhe shpalljen e investimeve dhe projekteve të reja, që është një praktikë e regjistruar në të gjitha komunat. Aktiviteti që siç pritej ishte më i përfaqësuar në periudhën parazgjedhore si mënyrë për të fituar votën e qytetarëve, ishte asfaltimi i rrugëve, dhe përveç Podgoricës, ku ky fenomen ishte më evident,  është regjistruar edhe në ato të Rozhajes, Pljevljës dhe Shavnikut.

Gjatë fushatës së kaluar zgjedhore është vërejtur gjithashtu se partitë politike që ushtrojnë pushtetin në nivel lokal shpesh i kanë marrë për vete meritat dhe rezultatet e punës së ndërmarrjeve publike dhe praktika më intensive e këtij lloji është vërejtur në Podgoricë, ku lëvizja “Të gjithë për qytetin tonë”, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe kryetari i komunës Ivan Vukoviq, përfaqësoi projekte të shumta të kryeqytetit që u financuan me paratë e të gjithë qytetarëve të Podgoricës. Përveç Podgoricës, një praktikë e tillë është vërejtur edhe në Bijelo Polje, Kollashin dhe Pljevlja, ku organet vendore të kësaj partie reklamuan hapur punimet e infrastrukturës si meritë të tyre.

Në Podgoricë është vërejtur gjithashtu se ndërmarrjet publike dhe kompanitë, themeluesi i të cilave është kryeqyteti, i dhanë mbështetje të drejtpërdrejtë vetëm një listë zgjedhore (Të gjitha për qytetin tonë) dhe kryetarit Vukoviq, duke promovuar haptazi listën zgjedhore të lartpërmendur. Në MANS thonë se vazhdimi i kësaj praktike është pasojë e drejtpërdrejtë e legjislacionit zgjedhor të pa reformuar, por mbi të gjitha mungesës së vullnetit politik nga ana e shumicës së partive pjesëmarrëse në procesin zgjedhor për të rregulluar më tej këtë fushë dhe për të reduktuar hapësirën e abuzimit me fondet shtetërore për promovimin e partive politike.

  • 1

    Radio