LD në MZ nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale. Mehmeti: Arsyet krejtësisht elektorale. Nuk kemi përkrahur asnjë palë

Prej tvteuta19:22, 1 Nëntor 2022

Zgjedhjet lokale që më 23 tetor u mbajtën në komunën e Tivarit, kësaj radhe u karakterizuan me mospjesmarrjen në to të shumicës së partive shqiptare. Për zonën e Krajës, e cila është 100% shqiptare, kjo ishte diçka e pazakontë, pasi ajo dikur ishte bastion i këtyre partive. Trendet politike tashmë kanë ndryshuar, dhe Kraja nga përkrahja masovike për partitë shqiptare, tashmë në masën më të madhe përkrah partitë malazeze, të cilat deklarohen si qytetare. Kjo nuk ndryshoi as në zgjedhjet e fundit, ku ato morën rreth 70% të votave, diçka që para vetëm një dekade dukej absurde. Për të mësuar se cilat ishin arsyet që partitë shqiptare vendosën për mospjesmarrje në zgjedhje, pyetëm Saubih Mehmetin, kryetarin e LD në MZ, subjektit që dikur dominonte skenën elektorale të Krajës.

Ai thotë se ata kanë tentuar që të organizohen, bile kanë drejtuar edhe thirrje në drejtim të subjekteve të tjera, por pa rezultat konkret. Në anën tjetër, thotë ai, edhe situata në terren është mjaft e pafavorëshme. Kraja, zonë me popullsi 100% shqiptare, është pothuajse boshatisur, ndërsa kushtëzimet dhe nevojat i kanë orientuar ata drejt subjekteve të ashtuquajtura qytetare.

Argumentat e kryetarit Mehmeti qëndrojnë, pasi është fakt se partitë shqiptare nuk kishin munësi praktike të arrinin vota për të fitur këshilltarin, por qetësia deri në momentët e fundit dhe mungesa e komunikimit adekuat, çuan në spekullime të shumta për arsyet e mospjesmarrjes së tyre në zgjedhje. Akuzat ishin se me këtë, këto parti me qëllim u kishin lënë hapsirë subjekteve të ashtuquajtura qytetare.

Mehmeti i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se ata kanë qenë kritik ndaj të gjitha partive jo nacionale që veprojnë në këtë zonë, pasi më së shumti kanë kontribuar në përçarjen dhe varfërimin e popullatës. Ai thotë se votuesve u kanë bërë thirrje që të përkrahjen në këtë zgjedhje ta japin sipas vullnetit të tyre, me të vetmin përjashtim që ajo të mos shkojë për partitë që nuk i përkahin integrimet europiane.

Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve lokale, jo vetëm në Tivar por edhe komunat e tjera, Mehmeti thotë se ato tashmë dëshmojnë se realiteti politik në Mal të Zi ka ndryshuar, ndërsa për dalje nga kriza, duhen zgjedhje të reja parlamentare, të cilat megjithatë jo detyrimisht do të sjellin ndryshime rrënjësore.

Pa marrë parasysh argumentat e partive shiptare për mospjesmarrjen në zgjedhjet lokale të Tivarit, votuesit duket se përsëri kanë mbetur të zhgënjyer. Sukses nuk do të ishte arritur, por ndoshta pjesmarrja do të ishte një uvertirë e mirë për tu pozicionuar më qartë për proceset e ardhëshme politike në vend. Sidoqoftë, shansi tani është humbur, e mbetet shpresa për një mundësi tjetër, që në politikë nuk vjen edhe aq shpesh.

  • 1

    Radio