Kush e nxit më shumë shtimin në peshë, pijet apo ushqimet
Prej tvteuta4 November 2022

Pijet apo ushqimet me sheqer tashmë janë kudo dhe konsumohen nga shumica e njerëzve. Duke filluar që nga fëmijët e vegjël e deri tek më të moshuarit. Janë kthyer aq shumë pjesë e jetës së përditshme, sa efektet e tyre negative prej vitesh po shfaqen gjithnjë e më shumë. Këto ushqime dhe pije janë pa dyshim në majën e listës së shfaqjes së shumë sëmundjeve, siç është diabeti, obeziteti apo sëmundjet kardiovaskulare. Megjithëse çdo pije e mbushur me sheqer industrial është e dëmshme, së fundi ekspertët i ndajnë në dy kategori për sa i përket shtimit në peshë. Një grup ekspertësh nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kina, së fundi kanë hedhur dritë mbi këtë çështje. Studimi tregoi se nivelet e sheqerit te gjendur tek pijet e konservuara dhe ushqimet e këtij lloji, nuk japin te njëjtin efekt në organizëm. Konsumimi i pijeve me sheqer ndikon shumë më shumë se ushqimi tek shtimi në peshë, obeziteti apo shfaqja e hershme e kolesterolit. Kjo për shkak se gjatë konsumimi të sheqernave në formë të lëngshme, trupi i përthith më shpejt. Duke u bërë shkak për shumë sëmundje të ndryshme dhe rrezikun e kalimit në paradiabet apo diabet. Shqetësimi i ekspertëve ngrihet pas përhapjes së sëmundjes së diabetit në të gjithë botën dhe klasifikimit të saj si një nga sëmundjet më vdekjeprurëse. Gjithashtu edhe nga shtimi i konsumit të pijeve me sheqer pa kufi nga të gjitha moshat.