Aktuale Më shumë

Kriza energjetike kërcënon edhe këtë dimër

Prej tvteuta16:30, 28 Shtator 2022

Çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile. Lëvizjen e tyre e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Viktor Buzhala, thotë se çmimet e energjisë elektrike në berzë janë katërfishuar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Sipas tij, trendet e rritjes pritet të vazhdojnë.

“Vitin e kaluar, gjatë stinës së verës, çmimi për megavat energji elektrike ka qenë rreth 100 euro… Deri në fund të vitit ka shkuar në 600 euro për megavat. Aktualisht është 400 euro për megavat”, thotë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë.

Pavarësisht ndihmesës me import, qytetarët janë përballur shpesh me reduktime të rrymës, sidomos në dhjetor – për ç’gjë ekspertët e çështjeve energjetike kanë fajësuar autoritetet vendimmarrëse për, siç kanë thënë, mungesë strategjish.

  • 1

    Radio