Komuna paditet për mobing dhe presione. Largime nga puna për shkak të politikës?

Prej tvteuta18:51, 4 Tetor 2022

Komuna e Ulqinit me 18 tetor do të duhet të përballet me padinë e të paktën njërit prej të punësuarve në këtë institucion, i cili në gjykatë është ankuar se pushteti i kaluar, në mënyrë flagrante ka shkelur të drejtat e tij, jo vetëm si i punësuar, por edhe të drejtat elementare njerëzore. Ai thotë se në mënyrë të padrejtë është kërcënuar e pastaj edhe larguar nga puna, gjoja pasi së bashku me disa të punësuar të tjerë guxuan të kërkojnë rrogat e tyre, të cilat nuk u ishin paguar me muaj. Por, pas kësaj thonë ata, qëndrojnë arsye të tjera.

Izeti Draga, i punësuari në fjalë, thotë se çdo gjë filloi me disa postime të tija në rrjetet sociale, për çka tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve të ish pushtetit nga radhët e PDS. Pasi mori disa kërcënime verbale, ai thotë se më pas, me urdhër të ish kryetarit  Aleksandër Daboviq,u largua nga puna me preteksin se kishte bllokuar llogarinë e Komunës për të marrë rrogat e prapambetura.

Pas ankesës në Drejtorinë e Inspeksioneve, kjo e fundit e riktheu në punë, por Draga kërkon që për veprimet që ai i cilëson të padrejta, të ketë fajtor konkret, për çka ka bërë padi edhe në gjykatë.

Draga nuk është i vetmi që është larguar nga puna. Edhe Muhamet Nika, që dikur ishte edhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, e pastaj edhe krytar i Kuvendit Komunal, u largua me pretekst të njëjtë, por dyshon se qëllimi kryesor ishte të zevendësohej me kuadër partiak. Për TV Teuta ai thotë se drejtuesit e pushtetit lokal, asnjëherë nuk i kanë respektuar si duhet, dhe as i respektojnë vendimet e inspeksioneve, çka edhe sjell në situata absurde.

Pushteti i ri ka vetëm 3 muaj që e ka marrë detyrën, por për momentin në këtë drejtim edhe ai po vazhdon me të njëjtin avaz, thotë Nika.

E gjithë kjo situatë duket apsurde. Të punësuarit të kenë pasoja për qëndrime politike, ose pse kanë kërkuar rrogat e tyre. Rroga që disa i presin me katër sy, kur kanë kredi, njerëz të sëmurë, ose studentë…

Draga thotë se rrogat i kërkoi pasi ka djalin student, çka e solli atë të pozitë të vështirë, të cilën nuk do ta harrojë kurrë.

Tani çdo gjë është në duar të drejtësisë. Seanca e parë do të mbahet më datën 18 tetor, kur palët do të parashtrojnë qëndrimet e tyre. Kjo çështje me siguri do të tërheqë vëmendje edhe përtej Ulqinit, pasi fenomeni në fjalë, me siguri  nuk është i vetmi, një një shoqëri tej mase të politizuar, si kjo e Malit të Zi.

  • 1

    Radio