Sporti Më shumë

Katari është gati për Botërorin e veçantë të futbollit

Prej tvteuta21:22, 21 Tetor 2022

Kampionati i parë Botëror në Lindjen e Mesme është një muaj larg. Kështu po i vjen fundi një udhëtimi 12-vjeçar, shpesh me pengesa, për Katarin, udhëtim që ka transformuar vendin. Katari është përballur me dyshime se si e bindi FIFA-n të votonte për t’ia dhënë organizimin e këtij turneu në vitin 2010. Kishte kritika se si u trajtuan punëtorët emigrantë për ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës së turneut. Kishte edhe tallje nga bota e futbollit për ndryshimin e datave nga periudha tradicionale qershor-korrik në nëntor-dhjetor.

Vendi i vogël arab që del në Gjirin Persik i ka kapërcyer të gjitha këto, si dhe armiqësinë nga shtetet fqinje që imponuan një bojkot ekonomik dhe diplomatik trevjeçar që përfundoi në janar të vitit 2021. Më 20 nëntor turneu më i madh në futboll do të fillojë më në fund në stadiumin “Al Bayt” me 60,000 ulëse. Stadiumi është në një vend të ri në veri të Dohas dhe u ndërtua enkas për Kupën e Botës. Ekipi përfaqësues i veshur me ngjyrë kafe dhe të bardhë nga vendi pritës do ta hapë turneun kundër Ekuadorit. Të gjitha 64 ndeshjet gjatë 29 ditëve që përfshijnë 32 ekipe do të luhen në zonën e Dohas, me shumë shfaqje dhe ngjarje kulturore të planifikuara për një festë të udhëhequr nga futbolli në shoqërinë konservatore myslimane.

Për një muaj Katari do t’i zbutë paksa kufizimet e rrepta se ku mund të blihet alkooli, duke përfshirë shërbimin e birrës nga sponsori i Kupës së Botës “Budweiser” në tetë stadiume dhe në zonën zyrtare të shikimit të ndeshjeve në ekran të madh në “Al Bidda Park”.

Premtimet për “Kupën e Botës më të mirë ndonjëherë, brenda dhe jashtë fushës”, u bënë ditë më parë edhe nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili tha të njëjtën gjë në Moskë katër vjet më parë, kur Rusia organizoi turneun. Megjithatë, që nga vendimet në vitin 2010 për të zgjedhur Rusinë dhe Katarin si mikpritësit e ardhshëm të Kupës së Botës, 21 nga 24 anëtarët në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s u dënuan në mënyra të ndryshme për çështje penale ose etike, u paditën, u liruan në gjyq ose u implikuan në keqbërje. Një prej tyre është edhe presidenti i atëhershëm i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili mbetet ende i përjashtuar nga sporti që drejtoi për 17 vjet. Blatter ka thënë se nuk ka votuar për Katarin.

Rreth 1.2 milionë vizitorë priten në Katar për Kupën e parë të Botës, që do të luhet në mes të sezonit tradicional të futbollit evropian, një lëvizje e bërë për të shmangur nxehtësinë e madhe të shkretëtirës në Lindjen e Mesme.

“Ne po i hapim dyert tona në Doha pa diskriminim”, tha emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, muajin e kaluar.

  • 1

    Radio