Italia goditet nga tërmeti, 21 të vdekur, dhjetëra nën rrënoja
Prej tvteuta10:11, 24 Gusht 2016
Një tërmet i fuqishëm ka goditur Italinë qendrore në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar të vdekur e të plagosur, ndërsa shumë banesa janë rrafshuar. Lëkundja e parë, me magnitudë 6.2 e shkallës Rihter, ndodhi rreth orës 03:36 me epiqendër 2 km larg qytetit Akumoli.
Qyteti Amatriçe ka pësuar dëmet më të mëdha, ku kryebashkiaku i saj është shprehur se qyteti pothuajse nuk ekziston më. Pas lëkundjes së parë, janë ndjerë edhe dy të tjera, me mangitudë 5,1 dhe 5.4, me epiqendër 5 km larg Norcia-s.
Agjencia për Mbrojtje Civile në Itali ka thënë se tërmeti ishte “i rëndë” dhe ka pasur raportime për dëme edhe në zonat malore. Ky tërmet është ndjerë edhe në qytetin e Romës dhe epiqendra e tij ishte afër l’Akuila-s, ku një tërmet prej 5.9 shkallë Rihter në vitin 2009 la të vdekur 309 persona. Qytetet më të prekura nga ky tërmet janë Akumoli, Amatriçe, Posta dhe Arkuata del Tronto.