Rajoni/Bota Më shumë

Irlanda, Norvegjia dhe Spanja e njohin Palestinën si shtet të pavarur

Prej tvteuta13:21, 22 Maj 2024

Irlanda, Norvegjia dhe Spanja e kanë njohur zyrtarisht Palestinën si një shtet më vete, duke bërë që Izraeli të tërheqë ambasadorët e tij nga dy prej shteteve evropiane, shkruan Sky News.

“Sot Irlanda, Norvegjia dhe Spanja po njoftojnë se ne njohim shtetin e Palestinës, secili prej nesh do të ndërmarrë çfarëdo hapash kombëtarë të nevojshëm për t’i dhënë efekt atij vendimi”, tha kryeministri irlandez Simon Harris.

“Kam besim se vende të tjera do të bashkohen me ne në marrjen e këtij hapi të rëndësishëm në javët e ardhshme”, shtoi Harris sot, transmeton Telegrafi.

Qeveria irlandeze argumenton se njohja mbështet një zgjidhje me dy shtete, e cila tha se është thelbësore për paqen e qëndrueshme në rajon.

Menjëherë pas deklaratës së Harris në Dublin, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez dhe ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, thanë se të dy vendet do të njohin një shtet Palestinez nga 28 maji.
“Nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme nëse nuk ka njohje”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store.

“Terrori është kryer nga Hamasi dhe grupet militante që nuk janë përkrahës të zgjidhjes me dy shtete dhe të shtetit të Izraelit”, shtoi kreu i qeverisë norvegjeze.

Sipas Gahr Store, Palestina ka të drejtën themelore për një shtet të pavarur.

Ministri i Jashtëm i Izraelit urdhëroi ambasadorët e Izraelit në Irlandë dhe Norvegji që të kthehen menjëherë në Izrael.

Ai tha se njohja mund të pengojë përpjekjet për kthimin e pengjeve të Izraelit që mbahen në Gaza, dhe e bën një armëpushim më pak të mundshëm duke “shpërblyer xhihadistët e Hamasit dhe Iranit”.

Ministria e Jashtme izraelite paralajmëroi kundër masës të martën, duke thënë në një postim në platformën e mediave sociale X, se njohja “do të çonte në më shumë terrorizëm, destabilitet në rajon dhe do të rrezikonte çdo perspektivë për paqen”.

“Mos u bëni peng në duart e Hamasit”, tha ministria izraelite.

  • 1

    Radio