Aktuale Më shumë

Iniciativa e anijeve taksi: Çdo fëmijë të njohë detin e Ulqinit

Prej tvteuta11:40, 23 Gusht 2022

Pronarët e anijeve taksi kanë marrë një iniciativë të përbashkët, atë të shetitjes së nxënësve të shkollave fillore të komunës së Ulqinit në bregdetin e Ulqinit.

Njëri nga iniciuesit e njëheri edhe pronar i një nga anijet taksi Sabahudin Vogliq, u shpreh për Televizionin Teuta se kjo ide lindi rastësisht duke parë fëmijët të cilët vijnë tek bregu i detit.

“E dimë që ekonomija më e madhe e Ulqinit është deti, prandaj edhe fëmijët tanë duhet të njoftohen me të, t’i vizitojnë pikat më të bukura, siç është Limani, Valdanosi, Plazhi i Madh dhe Buna. Çdo fëmijë duhet të njoftohet me vendin e vet, prandaj shpresojmë që kjo do të jetë një nismë e mirë që fëmijët të lidhen më shume me vendin e posaçërisht me detin”, shprehet ndër të tjera Vogliq.

“Data e saktë do të caktohet në varësi të kushteve atmosferike, por besojmë se kjo shetitje do të realizohet në fillim të muajit shtator”, shton ai.

Deri tani disa shkolla kanë filluar të tregojnë interesim, dhe pritet që në ditët në vazhdim të bihet dakord me të gjitha shkollat fillore.

Për këtë shetitje një ditore do të jenë të angazhuara 10 anije taksi, të cilat kanë kapaciet të mjaftueshëm për të gjithë nxënësit që shprehin dëshirën të jenë pjesë e kësaj shetitjeje.

Shetitja do të jetë falas nga pronarët e anijeve, si një dhuratë për fillimin e vitit të ri shkollor.

  • 1

    Radio