Aktuale Më shumë

Inflacioni 8.6 për qind

Prej tvteuta15:12, 16 Janar 2024

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal, të matura me indeksin e çmimeve të konsumit, ishin mesatarisht 8.6 për qind më të larta vitin e kaluar krahasuar me vitin 2022, sipas të dhënave të Monstat.

Monstat njoftoi se çmimet e konsumit në dhjetor të vitit të kaluar ishin mesatarisht 4.3 për qind më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2022.

Në dhjetor të vitit të kaluar, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 0.5 për qind më të ulëta krahasuar me muajin nëntor.

Ndikimin më të madh në normën negative të inflacionit mujor e ka pasur rënia e çmimeve në grupet e mëposhtme: lëndë djegëse dhe lubrifikantë për automjete, perime, fruta dhe mish.

“Duke parë grupet kryesore të produkteve dhe shërbimeve sipas qëllimit të konsumit, në dhjetor të vitit të kaluar krahasuar me një muaj më parë, në grupin e rekreacionit dhe kulturës është shënuar rritje prej 0,4 për qind”, thuhet në njoftim.

Rënia e çmimeve është shënuar në grupet transport 2,3 për qind, veshmbathje 0,5 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike 0,4 për qind, mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinë të apartamenteve 0,4 për qind, shëndetësi 0,3 për qind, banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera, mallra dhe shërbime të tjera, si dhe pijet alkoolike dhe duhani me 0.1 për qind.

“Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera nuk ndryshuan ndjeshëm”, përfundon njoftimi.

  • 1

    Radio