In memoriam: Osman Palaj (1946-2020)

Prej tvteuta14:52, 18 Prill 2020

Mësimdhënës i përkushtuar në zhvillimin e arsimit shqip

Të dielën u nda nga jeta mësimdhënësi, pedagogu dhe veprimtari i arsimit Osman Palaj. Ai lindi në vitin 1946, në fshatin Krythë të Anës së Malit – Komuna e Ulqinit.

Shkollën fillore e kreu në Katërkollë, për të vijuar Shkollën Normale në Prizren, pastaj Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe Fakultetin Filozofik, dega e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Veprimtarinë arsimore Osman Palaj e nisi në një moshë shumë të re, si 20-vjeçar, ku në Shkollën Fillore të Shtojit, gjatë vitit shkollor 1966/1967, dha disa lëndë mësimore (biologji, kimi, arsim teknik etj.) në paralelet në gjuhën shqipe dhe sllave.

Angazhimin e veçantë në procesin mësimor, duke u ballafaquar edhe me situata problematike, Palaj e nisi në vitin shkollor 1969/1970, kur ishte arsimtari i parë shqiptar në fshatrat e Prishtinës – Sushicë, Shishkoc dhe Kishnicë. Në këto shkolla, arsimtari Palaj promovoi arsimin gjithëpërfshirës në shkollë dhe në klasë duke përmbushur detyrimet ndaj nxënësit në një vend që sapo nisi zhvillimin e mirëfilltë arsimor, siç ishte Kosova. Gjatë këtij harku kohor, Palaj ishte mësimdhënës edhe në shkollën fillore të komunitetit serb në Graçanicë, ku këtyre nxënësve iu ligjëronte gjuhën shqipe.

Për shkak të rrethanave politike të krijuara nga nacionalizmi serb në Kosovë, Osman Palaj detyrohet të largohet dhe në vitin 1995 shpërngulet në SHBA, ku punoi dhe veproi deri në vitin 2010, kur kthehet në vendlindjen e tij.

Kontributi i tij në fushën e arsimit shqip ka një vlerë të veçantë kombëtare dhe mbetet model frymëzimi për gjeneratat e ardhshme.

a.s.

  • 1

    Radio