Grevë urie për makinën e prishur!!!
Prej Resid Dervisi30 August 2022
Defektet apo prishja e një automjeti të shtrenjtë të sapo blerë është gjithmonë një arsye stresi e shqetësimi. Por me sa duket për disa pronarë norvegjezë të automjeteve elektrike Tesla, ky problem i ka kapërcyer kufijtë e normalitetit. Ata kanë paralajmëruar botërisht se do të hyjnë në një grevë urie deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Mesa duket të dorëzuar pas një kohe që kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër të dealerëve dhe serviset e autorizuar të Tesla-s, ata kanë njoftuar këtë akt të dëshpëruar me qëllim që të tërheqin vëmendjen e hiç më pak se vetë themeluesit të kompanisë, Elon Musk. Ky akt ekstrem vjen pas një mori ankesash të pazgjidhura me shumë defekte të automjeteve të reja elektrike Tesla në mbarë botën. Disa pronarë raportojnë se po përjetojnë shërbim të dobët ndaj klientit dhe të tjerë pretendojnë se janë injoruar nga prodhuesi i automjeteve me premtime të pambajtura për kthimin e telefonatave. Shumë nga ankesat e pronarëve nuk janë fort të reja. Për shembull, disa nga problemet kryesore të vërejtura janë cilësia e dobët e bojës, ndryshku, pamundësia për të përmbushur jetëgjatësinë e pretenduar të baterisë, dështimi i pompave të nxehtësisë, dorezat e dyerve të mbërthyera në të ftohtë dhe zverdhja e ekraneve me prekje.