Aktuale Më shumë

Gorçeviq në Sofia: Pranimi në BE është një realitet i arritshëm

Prej tvteuta14:00, 8 Prill 2024

Pas 12 vitesh negociata për anëtarësimin në BE, mund të themi se vetëm tani duket realitet. Me reformat serioze dhe të gjera që kemi arritur në një periudhë të shkurtër kohore, ne e kemi bërë anëtarësimin në BE jo më një ëndërr të paarritshme, por një realitet të mundshëm, tha Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq në debatin e panelit “Integrimi i përshpejtuar: investimi në sigurinë evropiane” organizuar nga partia Alde, Klubi Atlantik dhe Forumi Liberal Evropian në Sofia.

Në panelin e moderuar nga rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, ku morën pjesë përfaqësues të Ballkanit Perëndimor, Turqisë dhe Rumanisë, ministria Gorçeviq tha se Mali i Zi ka një shans real dhe një mundësi historike për t’iu bashkuar komunitetit të shteteve evropiane dhe popujve në një periudhë të shkurtër kohore.

“Ne kemi një konsensus të përgjithshëm shoqëror për këtë çështje, anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se mbi 80 për qind e qytetarëve malazezë mbështesin anëtarësimin e vendit në BE. Misioni ynë është të përfshijmë të gjithë shoqërinë në këtë proces dhe mendoj se tashmë kemi arritur t’i nisim gjërat. Ne kemi një konsensus në Parlament për çështjet që kanë të bëjnë me negociatat me BE-në, në procesin e negociatave kemi përfshirë shoqërinë civile, sektorin e OJQ-ve, organizatat ndërkombëtare”, tha Gorçeviq.

Ajo theksoi se administrata malazeze po punon pa u lodhur për të përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme dhe për të marrë Raportin për përmbushjen e standardeve të përkohshme (IBAR) për kapitujt 23 dhe 24. Siç shtoi ajo, më në fund ka një dialog dhe partneritet të vërtetë me Komisionin Evropian dhe komunikim në baza ditore.

“Ne jemi një vend i vogël dhe kemi kapacitete të pamjaftueshme administrative dhe kemi nevojë për mbështetje shtesë të ekspertëve në të gjitha fushat, dhe Komisioni Evropian dhe të gjitha vendet anëtare janë më se të gatshëm të ndihmojnë”, tha Gorçeviq.

Ministrja shpjegoi se marrja e IBAR për Malin e Zi përfaqëson hapjen e një faze të re, jo më pak kërkuese të procesit të negociatave. Ajo theksoi se edhe pse është bërë punë e konsiderueshme, Mali i Zi ka ende obligime kërkuese për të përmbushur të gjitha kushtet për mbylljen graduale të kapitujve të negociatave.

Duke folur për Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Gorçeviq tha se vlera e këtij plani për Malin e Zi nuk është vetëm ekonomike, por edhe reformuese, sepse përfshin masa shtesë në fushën e sundimit të ligjit, që është në fokus të procesin e negociatave. Gjithashtu, siç theksoi ajo, vlerë e veçantë e Planit të Rritjes është forcimi i lidhjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë një motiv të ri për bashkëpunim.

 

  • 1

    Radio