Sociale

Sociale Më shumë

Finalizimi i projektit kundër abuzimit të drogave dhe delikuencave tek të miturit

Prej tvteuta30 August 2016

OJQ “Horizonti i Ri” organizoi seminarin për hartimin e Planit Lokal për parandalimin e sëmundjeve të varësisë. Ky aktivitet tuboi së bashku përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante që veprojnë në nivelin lokal e të cilët njëkohësisht përbëjnë edhe Rrjetin e partnerëve lokal për luftimin e abuzimit me droga dhe delikuencës së të miturve. Seminarin e hapi Kryetari i Komunës së Ulqinit z. Nazif Cungu, i cili përgëzoi për punën e deritanishme të gjithë subjektët të përfshirë në këtë projekt dhe premoti mbështetjen e tij të fuqishme për iniciativat dhe projektet që kanë për qëllim krijimin e një ambienti të shëndetshëm dhe të sigurtë, për të rinjtë e Ulqinit. Përveç funksionarëve dhe zyrtarëve të Pushtetit Vendor, në hartimin e këtij dokumenti dhanë një kontribut të çmueshëm edhe drejtuesit e Prokurorisë Shtetërore në Ulqin dhe Zyrës së Policisë; përfaqësuesit e Gjykatës Themelore në Ulqin, Qendrës për punë sociale, Shtëpisë së Shëndetit, institucioneve arsimore, Televizionit Teuta, profesionistë të shoqërisë civile, edukatorët bashkëmoshatarë në fushën e parandalimit të sëmundjeve të varësisë e të tjerë. Ky aktivitet njëherësh shënoi edhe fazën përfundimtare të projektit njëvjeçar “Partneriteti lokal në luftën kundër abuzimit me droga dhe delikuencës se të miturve”, i cili ka pasur për qëllim vendosjen e bashkëpunimit më efikas në çështjet e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave pozitive në këtë fushë si dhe fuqizimin e kapaciteteve të Zyrës për parandalimin e sëmundjeve të varësisë të Komunës së Ulqinit. Këtë projekt, OJQ “Horizonti i RI” e realizoi me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Podgoricë, përmes Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit.