Sporti Më shumë

Evropa në Botëror do të testohet nga Brazili e Argjentina

Prej tvteuta12:59, 12 Nëntor 2022

Kur Gianni Infantino tha në një mbledhje të zyrtarëve evropianë të futbollit në Vjenë se shpresonte që fituesi i Kupës së Botës të vinte nga kontinenti i tyre, presidenti i FIFA-s shtoi shpejt, me një buzëqeshje, se komentin e kishte bërë në secilin kontinent ku qëndroi për vizitë.

Mirëpo, kjo nuk është çështje për të qeshur për pjesën tjetër të botës. Shtatë nga tetë finalistët e fundit të Kupës së Botës kanë ardhur nga Evropa. Trembëdhjetë nga 16 gjysmëfinalistët e fundit gjithashtu. Vetëm tri përfaqësuese joevropiane – Brazili, Argjentina dhe Uruguai – kanë arritur në finalen e Kupës së Botës. Uruguai nuk ka luajtur në ndeshjen e titullit që nga viti 1950. Dhe vetëm dy vende joevropiane, përveç Brazilit dhe Argjentinës, kanë arritur në gjysmëfinale që nga viti 1970 – Koreja e Jugut në vitin 2002 dhe Uruguai në vitin 2010.

Asnjë vend afrikan nuk ka arritur ndonjëherë në katërshen e fundit – pjesërisht për shkak të ndeshjes me dorë të Luis Suarezit në minutën e fundit, që e shpëtoi Uruguain për t’ia mohuar Ganës kalimin në gjysmëfinalen e vitit 2010. Dhe askush nga Amerika e Veriut që nga SHBA-ja në Kupën e parë Botërore në vitin 1930, nuk ishte në këtë fazë. Vendet nga e gjithë bota janë të ftuara në festë, por, në të vërtetë, kryesisht evropianët qëndrojnë deri në fund.

“Ju dëshironi që Kupa e Botës të jetë një turne botëror”, tha autori i futbollit Jonathan Wilson. “Idealisht do të kishit një ekip nga çdo konfederatë në çerekfinale. Ju dëshironi skuadrat më të mira, por dëshironi që skuadrat më të mira të vijnë nga sa më shumë vende të ndryshme. Ky është një sport global. Nëse fokusohet tërësisht në një xhep të pasur të Evropës Perëndimore, kjo është e mërzitshme për të gjithë”.

Wilson e mbështet dominimin evropian të kohëve të fundit tek shtetet kryesore të futbollit të kontinentit që pompojnë shumë para dhe burime në zhvillimin e lojtarëve të rinj, atë që ai e quan një “industrializim i prodhimit të rinjve”, duke filluar me Francën me qendrën e saj kombëtare të futbollit në vitet 1990. Kjo u pasua nga Gjermania, Spanja dhe së fundmi Anglia që bënë të njëjtën gjë.

Këta lojtarë të rinj më pas ekspozohen ndaj ligave të tyre të futbollit, të cilat janë më të fortat dhe më të pasurat në botë.

“Ju keni mjediset më të mira, mësuesit më të mirë, njerëzit më të mirë për të mësuar”, tha Wilson. “Atëherë ju po testoni veten kundër më të mirëve”

I vetmi shtet që ka penguar një triumf evropian në një Kupë Bote që nga viti 1994 ishte Brazili në vitin 2002. Trajneri i Brazilit atë vit, Luiz Felipe Scolari, tha se ai kishte një “brez spektakolar” – Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinho – dhe se shtetet evropiane tani po prodhojnë lojtarë më të mirë se më parë, pasi kanë studiuar ekipin e Brazilit të vitit 1958, i cili i dha vendit të parin nga pesë titujt. Scolari tha se dominimi aktual evropian është një “fazë” e cila mund të përfundohet nga Brazili në Katar ose, ndoshta, në vitin 2026.

Brazili do të hyjë në Kupën e Botës si ekipi më i ranguar, i pamposhtur në kualifikimet e Amerikës së Jugut dhe me vetëm pesë humbje në 76 ndeshje nën drejtimin e trajnerit Tite.

“Kjo klasë e vitit 2022 është e mrekullueshme”, tha Scolari. “Nëse nuk fitojmë tani, mund ta bëjmë në vitin 2026 me një nga ekipet më të mira. Këta fëmijë që luajnë tani mund të japin rezultatin që presim, por ju nuk mund t’i bëni presion që të japin gjithçka. Ndoshta pas katër vjetësh ne mundemi sepse atëherë ata do të arrijnë majat në moshën 26, 27-vjeçare”.

Në mënyrë tipike, është Argjentina, e renditur e treta dhe dy herë kampione e Botës, duke rivalizuar Brazilin si fituesin më të mundshëm nga jashtë Evropës. Dhe, kështu duhet të ndodhë përsëri në Katar. Ndërsa më të mirët e Evropës kanë pasur vështirësi. Anglia është pa fitore në gjashtë ndeshje, Franca dhe Gjermania kanë fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit, Italia as nuk është kualifikuar. Argjentina ka një seri prej 35 ndeshjesh pa humbje nën drejtimin e Lionel Scalonit, i cili ka një ekuilibër të mirë dhe një ekip me më shumë se vetëm një mori sulmuesish yje të udhëhequr nga Lionel Messi. Megjithatë, ka një paralajmërim. Prezantimi i Ligës së Kombeve të UEFA-s dhe, në një farë mase, ndikimi i COVID-19, ka bërë që skuadrat kryesore evropiane të përballen mes vete më shpesh dhe rrallë të përballen me Brazilin dhe Argjentinën. Vetëm një lojë e tillë dallohet që nga Kupa e Botës 2018 – Finalissima, një ndeshje e krijuar rishtazi midis kampionit të Evropës dhe fituesit të Kupës së Amerikës, që pa Argjentinën ta mposhte Italinë 3:0 në Londër në qershor.

Argjentina ka luajtur me tri ekipe evropiane që nga Botërori i fundit. Brazili vetëm me një.

“Është shumë e vështirë të lexosh vërtet për to”, tha Wilson, që ka shkruar për historinë e futbollit argjentinas. “Mund të mos jetë gjëja më e keqe që ata të shkojnë në këtë turne me besim, pa një ndjenjë inferioriteti”.

Nëse heqim Brazilin dhe Argjentinën, është e vështirë të shikosh përtej një fituesi tjetër nga Evropa, e cila ka 10 skuadrat e tjera në top 12 të renditjes së FIFA-s dhe 13 nga 32 ekipet në Katar. Ka edhe më shumë thellësi për sfidën evropiane këto ditë, me shtete si finalistja e Kupës së Botës 2018, Kroacia, gjysmëfinalistja e “Euro 2020”, Danimarka dhe Zvicra, të qëndrueshme dhe të vështira për t’u mposhtur dhe me më shumë lojtarë nëpër klubet kryesore të Evropës.

Sa u përket skuadrave afrikane, ato ende duket se janë të frenuara nga mungesa e burimeve jashtë fushës më shumë sesa mungesa e talenteve në të.

“Shtetet afrikane kanë kaq shumë lojtarë që luajnë në Evropë dhe në ekipe të mira. Personalisht mendoj se ato duhet të paraqiten më mirë”, tha Lars Lagerback, i cili drejtoi Nigerinë në Kupën e Botës 2010. “Ka shumë sfida, kaq shumë njerëz të përfshirë rreth logjistikës dhe gjithçka tjetër. Ata kanë lojtarë me aftësi individuale”.

  • 1

    Radio