Escobar takohet me Kurtin
Prej tvteuta19 October 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në një takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pas takimit, Escobar ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin Kosovën në aspiratat e saj evroatlantike. “Mendoj se e thatë shumë mirë, është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam edhe për çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës”, u shpreh diplomati i huaj. “Është e rëndësishme të rreshtoheni me vlerat evropiane në këtë kohë krize në Evropë. Pata dëshirë të theksoj se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht Kosovën në të gjitha aspiratat e saj euroatlantike”, tha ai më tej. Gabriel Escobar u takua më herët edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku ka thënë se qëllimi i vizitës së tij është thellimi i partneritetit ShBA-Kosovë.