Escobar në Beograd: Pres vijim dinamik të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
Prej tvteuta20 October 2022
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”. “Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar. Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, njoftoi Presidenca serbe. Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Ai tha se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare. “Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të tij, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, tha Vuçiq.