Dita e pazarit në Krajë: Sa janë çmimet e gështenjave dhe peshkut?

Prej tvteuta17:38, 20 Tetor 2022

Në Krajë ka filluar sezoni i mbledhjes së gështenjave, pas duhanit, prodhimit më të rëndësishëm të kësaj treve. Këtë vit prodhimi duket i bollshëm, edhe pse në pjesë të caktuara të pyllit të Gvozdit, pemët kanë pasur probleme me parazitët. Në ditën e pazarit, gështenjat ishtin prodhimi kryesor në shitje, edhe pse nuk mungonin as prodhimet e tjera, karakteristike për Krajën.

Një nga shitësit e gështenjave, thotë se prodhimi i sivjetshëm ishte mjaft i mirë, ndërsa për çmimin do ta tregojë koha. Për momentin ai sillet nga 2.50 deri në 3.50 euro për kilogram, në varësi të llojit.

Në treg kishte edhe ata që shisnin peshk, gjegjësisht të llojit krap, çmimi i të cilit është më i lartë se vitin e kaluar. Në varësi të madhësisë, për një kilogram blerësit duhet të ndajnë nga 6 – 8 euro.

Edhe çmimi i gështenjave këtë vit ashtu si të gjitha prodhimet e tjera, ka pësuar rritje, por duke pasur parasysh mundin që duhet për mbledhjen e tyre, ai duket më së i arsyeshëm.

Në ditën e pazarit kishte shitës edhe nga vendet e tjera, që ofronin prodhimet e tyre, ndërsa ata që nuk shisnin, shijonin ditën e bukur në kafanetë e qendrës së Ostrosit, duke diskutuar për hallet e tyre. Në këto ditë vjeshte, edhe pse ditë pazari, Kraja nuk përngjan aspak me atë të të 30-të apo 40 viteve më parë, kur numri i banorëve ishte 5 herë më i lartë. Tani ajo është hije e një të kaluare të pasur, të cilën më mall e kujtojnë vetëm të moshuarit.

  • 1

    Radio