Rajoni/Bota Më shumë

Dinari në Kosovë, reagon Serbia: Përpjekje për eksodin e popullit serb atje

Prej tvteuta16:20, 19 Janar 2024

Drejtori i zyrës serbe për Kosovën Petar Petkovic deklaroi për televizionin publik serb, RTS-në se “përpjekja për të shfuqizuar transaksionet e pagesave në Kosovë është një nga vendimet më të vështira dhe dëshmi e veprimeve të njëanshme të Albin Kurtit, qëllimi i së cilës sipas tij, është “eksodi i popullit serb, i cili ndikon në mbijetesën e pakicës serbe në Kosovë”.

Ai doli po ashtu me pretendimin se “si Bislimi ashtu edhe Kurti dhe të gjithë në Kosovë e përdorin euron “në mënyrë ilegale” dhe tani guxojnë të thonë se dinari është i paligjshëm dhe se nuk ka të drejtë të jetë në territorin e Kosovës”. Ai shtoi se se “valuta e vetme në Kosovë është miratuar nga Banka Popullore e Serbisë”, dhe se “ajo valutë është dinari e jo euro”.

Banka Qendrore e Kosovës nxori një ditë më parë një rregullore të re sipas së cilës monedha e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro, një vendim që nxiti shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i kësaj rregulloreje është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, vecanërisht në veri. Lista Serbe deklaroi se Vendimi i BQK-së për dinarin rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë dhe e cilësoi të barasvlershme me dëbimin e tyre “nga këto zona pa përdorimin e armëve”.

  • 1

    Radio