Sporti Më shumë

DIELLËZA RAMA U SHPALL GARUESJA MË E SUKSESSHME E TURNEUT

Prej tvteuta04:03, 21 Qershor 2015

Më 14 qershor 2015 Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë në Turneun XV Memorial “Rrahim Curri & Behar Begolli“ në Podujevë të Kosovës. Klubi i Karatesë “Ulqini” në këtë garë mori pjesë me pesë garues, të cilët u kurorëzuan me 8 medalje në disiplinat kata dhe luftëra individuale: 2 të arta, 2 të argjendta dhe 4 të bronzta.

Me nga disa medalje u kurorëzuan Antigona Rama, Diellëza Rama, Eliza Salihi, Elvir Islami dhe Resul Ceka.

Në fund të Turneut u shpallën më të mirët. Garuesja e Klubit të karatesë „Ulqini“ Diellëza Rama u shpall garuesja më e suksesshme e turneut dhe u shpërblye me një kupë, duke nderuar jo vetëm klubin, por edhe mbarë Ulqinin dhe të gjithë bashkëkombësit në Mal të Zi.
Për Diellëzën ky është një ndër sukseset e saja të shumta. Para kësaj gare ajo shënoi edhe një sukses të shkëlqyeshëm në Kampionatin Ballkanik i cili u mbajt dy javë më parë në Herceg Novi. Në një konkurrencë mjaft të fortë arriti të renditet ndër pesë më të mirat e Ballkanit në luftëra -54 kg në moshën 14 vjeçare. Ajo punoi luftën e fundit për medalje për vend të tretë kundër garueses nga Kroacia, ku me ndihmën e referëve në favor të kroates humbi me rezultat të ngushtë 2:1, edhe pse tërë kohës ka udhëhequr. Prapëseprapë, ky është një rezultat i mirë i saj pasi që ajo kategori ishte tejet e fortë, ku morën pjesë 21 garuese.

Në turneun në Podujevë morën pjesë mbi 250 garues nga Shqipëria, Maqedonia, Klubi i karatesë “Ulqini”dhe klube nga Kosova.

-Falënderojmë shumë organizatorin e këtij turneu z. Isak Currin, për mikëpritje dhe respektin e veçantë ndaj Klubit të karatesë “Ulqini”. Organizatori nderoi trajnerët dhe drejtorin e marketingut me nga një mirënjohje për bashkëpunim. Po ashtu, drejtori i marketingut Skender Tahiri, në shenjë respekti ndaj klubit tonë u ftua të marrë fjalën në hapje të Turneut, – shprehen trajnerët dhe udhëheqësit e KK “Ulqini”, të cilët falënderojnë ndërmarrjen “ELIPSOID” në krye me Daut Bejtën, prindërit e garuesve për ndihmën e dhënë për pjesënarrje në këtë turne.

Shërbimi informativ i Klubit të Karates ”Ulqini”

 

  • 1

    Radio