Aktuale Më shumë

Çagjenoviq dyshohet se ndihmonte klanin kriminal “Kavaç”

Prej tvteuta17:16, 10 Dhjetor 2022

Prokurori special për krimin e organizuar Sasha Çagjenoviq ka punuar me urdhër të Radoj Zvicer, Petar Lazoviq, Radovan Mujoviq dhe anëtarëve të tjerë të lartë të klanit kriminal Kavaç, ka thënë për Vijesti një burim i afërt me hetimin.

Sipas informacioneve jo zyrtare, prokurorët specialë kanë arritur në këtë përfundim pasi kryeprokurori aktual Vlladimir Novoviq i urdhëroi ata të shqyrtojnë veprimet e Çagjenoviq në rastet e krimit të organizuar. U konstatuan dyshime se në ato raste Çagjenoviq ka punuar për kriminelët, jo për shtetin – duke i mbrojtur krerët e grupit të organizuar kriminal Kavaç dhe ushtarët e tyre, në vend që t’i vendosë pas hekurave. Burimi i Vijesti ka thënë se në katër nga çështjet kyçe ndaj këtij grupi kriminal që janë kontrolluar deri më tani, kanë konstatuar veprime të paligjshme në dëm të shtetit dhe në dobi të mafias.

Njëri prej tyre është rasti kundër agjentit sekret të arrestuar Petar Lazoviq dhe policit të arratisur Ljubo Miloviq, për të cilët Europol ka përcaktuar se punonin për të njëjtin klan kriminal. Dosjet e komunikimit ndërmjet mafiozëve dhe oficerëve të policisë dhe agjentëve sekretë ishin gjithashtu në dispozicion të Prokurorisë Speciale të kryesuar nga Milivoje Katniq, dhe vetë Çagjenoviq, por ato raste u arkivuan. Më pas kreu i ri kësaj prokurorie, Vlladimir Novoviq,  kërkoi rihapjen e tyre.

Pas marrjes në pyetje në prokurori, avokati i Çagjenoviq,  Llazar Akoviq, ka thënë për media se klienti i tij e ka mohuar kategorikisht kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.

  • 1

    Radio