Aktuale Më shumë

Art Club: Botohet “Libri për Tivarrin” në 70-vjetorin e Masakrës së Tivarit

Prej tvteuta12:29, 8 Dhjetor 2015

Në 70-vjetorin e Masakrës së Tivarit, që njihet si masakra më e madhe e kryer ndaj shqiptarëve dhe varri më i madh masiv i shqiptarëve, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar “Libri-n për Tivarrin”, të përgatitur nga shkrimtari Hajro Ulqinaku. Ky libër, i cili është publikuar këto ditë, përbën një homazh për viktimat dhe të mbijetuarit e Masakrës së Tivarit në këtë përvjetor.

“Libri për Tivarrin” përbëhet nga 232 faqe dhe në të përfshihen këngë popullore, balada, poezi, poema, tregime, monodrama, dëshmi të dëshmitarëve, letër e hapur, studime etj. të autorëve nga të gjitha trevat shqiptare kushtuar Masakrës së Tivarit. Siç shprehet Ulqinaku, ky është “një libër i vogël për atë krim të madh, që s’harrohet, që na akuzon pse s’e ngritëm së paku një lapidar në Tivar”.

Në recensionin e tij, prof. Dr. Sadri Fetiu shkruan se “përgatitja e këtij libri nga Hajro Ulqinaku dhe botimi i tij me rastin e 70-vjetorit të Masakrës së Tivarit është ndihmesë e veçantë për njohjen e fatit të popullit shqiptar të mbetur nën sundimin jugosllav, për zbulimin e përmasave të një krimi të pashembullt, që ka ndodhur në Tivar”. Sipas Fetiut, ky “është libër – dëshmi për Tragjedinë e Tivarit, një përvojë letrare artistike dhe historike, që do t’i shërbejë lexuesit që të mos harrohet kurrë e kaluara, të mos harrohet historia, për të cilën romakët e ditur kanë thënë se është mësuese e jetës”.

Redaktor i librit është Hajredin Kovaçi, recensent prof. Dr. Sadri Fetiu, lektor Ismet Kallaba, ndërsa redaktor teknik Qazim Muja.

Libri është shtypur në Entin Botues “Gjergj Fishta” – Lezhë, ndërsa botimin e tij e kanë mbështetur Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” – Nju Jork dhe Komuna e Ulqinit.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

 

 

Ulqin, më 08. 12. 2015                                                                             SHAI “Art Club”

  • 1

    Radio