Kulturë Më shumë

Ali Gjeçbritaj – Rite dasme në Krajë

Prej tvteuta15:01, 18 Prill 2020

Mësuesi, krijuesi dhe publicisti Ali Gjeçbritaj ka botuar këto ditë librin “Rite dasme në Krajë”, një monografi kushtuar trashëgimisë popullore të krahinës së Krajës, nga ai vjen. Kraja, ashtu si pothuaj çdo trevë tjetër shqiptare, ka një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe materiale, të krijuar nga popullata e saj përgjatë shekujve të kaluar. Pjesë e kësaj trashëgimie kulturore janë edhe ritet popullore, ku ritet e dasmës zënë pa dyshim vend të veçantë. Prandaj, me qëllim të ruajtjes nga harresa të kësaj trashëgimie dhe në mungesë të ndonjë botimi paraprak, siç thotë autori në parathënien e librit, e ka parë të arsyeshme që të japë kontibutin e tij modest duke bërë fillimisht evidentimin dhe shënimin, hedhjen në letër të disa riteve të dasmës në Krajë e më pastaj radhitjen e tyre.

Në hyrje të librit, autori na njeh shkurtimisht me disa të dhëna bazë për Krajën. Kapitulli kryesor i librit përbëhet nga ritet e dasmës, përfshirë fejesën, shenjin, përgatitjen e pajës për martesë, dasmën, natën e parë të ardhjes së nuses në shtëpinë e re, ditën e parë të nuses në shtëpinë e re, miqësinë e re etj. Këngët popullore që janë kënduar në dasmat krajane janë po ashtu pjesë e librit. Libri është ilustruar edhe me fotografi nga ceremonitë e dasmave në Krajë në të kaluarën, fotografi të veshjeve, sendeve dhe qëndismave të ndryshme që janë pjesë e pajës së nuses, gjë që ia shton vlerën librit.

Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensente Arlinda Suka, Aishe Gjeçbritaj dhe Luljeta Avdiu – Cura, lektor Arbër Hajra, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Ali Gjeçbritaj ka lindur në Arbnesh të Krajës, më 1953. Krahas punës në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri merret dhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Është redaktor i revistës “Valët”, revistë e nxënësve të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros. Deri tash ka botuar librat: “Motet” (poezi), “Gjurmët e moteve” (publicistikë), “Informatori” (publicistikë), “Shkolla në Krajë 1929-2009” (monografi), “Nata me hënë” (poezi), “Botë mashtrimi” (poezi), “Kopshti i xixëllonjave” (poezi për fëmijë), “Udhëtim në kohë” (monografi), “Heshtja që flet” (poezi) dhe “Rite dasme në Krajë” (monografi).

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

      Ulqin, më 16. 04. 2020                                                                        SHAI “Art Club”

  • 1

    Radio