Aktuale Më shumë

Afera e blerjes së supozuar të votave ende pa epilog

Prej tvteuta18:35, 25 Gusht 2022

Një nga aferat që intrigoi opinionin publik në Ulqin, por edhe më gjërë, ishte ajo e blerjes së supozuar të votave në kuadër të zgjedhjeve lokale të 27 marsit. Në këtë aferë u përfshinë kryetari aktual i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, kreu i Policisë Komunale të Ulqinit, Amir Mehmeti, si dhe një person i panjohur.

Duke komentuar rrjedhën e këtij rasti, prokurori Vlladimir Savoviq tha se në procesin hetimor ka dy skandale, i pari ka të bëjë me blerjen e votave, ndërsa i dyti ka të bëjë me gjoja regjistrimin e procesit të votimit me stilolaps.

“Sa i përket rastit të blerjes së votave në fakt kemi dy raste. Rastet janë formuar në bazë të dy inçizimeve, njëri audio inçizim dhe tjetri video inçizim, në të cilin jo larg qendrës së votimit dorëzohet një stilolaps, i cili supozohet se ka kamerë, për të ditur se kush dhe si voton. Ai rast rezultoi me aktakuzë, shqyrtimi gjyqësor përfundoi dhe së shpejti pritet një vendim për këtë rast. Për atë të blerjes së votave, lënda është formuar sipas detyrës zyrtare dhe brenda një jave janë mbledhur deklaratat nga të gjithë personat. Të gjithë kundërshtuan se këto ishin zërat e tyre dhe kjo është ajo që është vendimtare në këtë rast. Për këto arsye është dërguar një kërkesë në organet kompetente në Zvicër, së fundi kemi marrë përgjigje, por jo për të gjitha pyetjet tona… Për këtë kemi dërguar një kërkesë të re, shtesë”, tha Savoviq, i cili shton se për shkak të interesit hetimor, ai nuk mund të zbulojë arsyet për dërgimin e kërkesës së re.

  • 1

    Radio