Aktuale Më shumë

Zgjedhet lokale në tri komuna: PDS pëson rënie, pozita pa arsye për festë

Prej tvteuta18:34, 6 Dhjetor 2021

Zgjedhjet lokale që ditën e diele u mbajtën në komunat e Mojkovacit, Cetinës dhe Petnjicës, edhe pse në kushte normale nuk do të tërhiqnin vëmendje të madhe, në situatën aktuale politike ato vlerësohen si  matës i popullaritetit të subjekteve të caktuara politike. Nga rezultatet preliminare që janë publikuar deri tani, duket se të pakët janë subjektet që kanë arsye për ndonjë eufori të madhe. PDS, e cila në këto komuna deri tani kishte shumicën absolute, dhe nuk varej nga përkrahja e partnerëve për të formuar pushtetin, mund të cilësohet si humbësi më i madh, edhe pse rënia e votave mund të mos ketë qenë aq e madhe sa shpresonte opozita.  Në Cetinë kjo parti ka marrë rreth 43% të votave, por ka pësuar rënie të madhe, sidomos krahasuar me zgjedhjet parlamentare, dhe do të duhet të kërkojë partnerë për të formuar pushtetin. Më së miri në këtë komunë ka kaluar Partia Socialdemokrate, e cila ka arritur të marrë 22% të votave, ndërsa rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale kanë pasur Demokratët dhe URA, nga 5, respektivisht 4, në 3 mandate.

Në Mojkovac, PDS (DPS) po ashtu e ka humbur shumicën, por edhe mundësinë që të formojë pushtetin, pasi ishte në koalicion me partnerët tradicional, dhe nuk arritën më shumë se 44% të votave, çka i jep mundësi opozitës të bisedojë për formimin e shumicës qeverisëse. E veçantë në këtë komunë ëshë se Partia Socialdemokrate as nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa LQ URA ka pasur rritjen më të madhe sipas përqindjes, duke dyfishuar votat nga zgjedhje parlamentare.

Në Petnjicë PDS(DPS) pritet ta ruaj shumicën absolute, pasi sipas rezultateve paraprake ka marrë 17 mandate nga 34 që janë gjithsej. Partia Boshnjake ka marrë 6, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit 3, Demokratët 2, Socialdemokratët 2, dhe Partia Socialdemokrate 1 mandat. Për ndryshim nga Mojkovaci, në Petnjicë është LQ URA e cila nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit, ka pasur rritjen më të madhe, nga 1 në 3 mandate.

Pas zgjedhjeve si pozita ashtu edhe opozita dolën me deklarata se janë të kënaqur me rezultatet e arritura, por do të jenë bisedat post zgjedhore ata që do të tregojnë se kush ka më shumë arsye për festë. Në Cetinë dhe Petnjicë nuk priten ndryshime të mëdha, ndërsa në Mojkovac do të jetë interesant të shihet nëse partitë që qeverisin në nivel qendror, do të jenë në gjendje të kapërcejnë dallimet dhe të formojn pushtetin.

  • 1

    Radio