Aktuale Më shumë

Sharanoviq shoqëroi një ekip shpëtimtarësh malazezë për në Bosnje dhe Hercegovinë

Prej tvteuta15:48, 7 Tetor 2024

Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, mëngjesin e sotëm ka përcjellur një ekip të shpëtimtarëve malazezë, të cilët janë dërguar në Bosnje dhe Hercegovinë për të ofruar ndihmë në rehabilitimin e pasojave të përmbytjeve katastrofike që goditën këtë shtet fqinj.

Siç njofton MPB-ja, një ekip prej 32 anëtarësh gjithsej, i përbërë nga zjarrfikës-shpëtimtarë të shërbimeve lokale të mbrojtjes dhe shpëtimit, anëtarë të Kryqit të Kuq të Malit të Zi dhe ekspertë të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit, është pajisur me pajisje të specializuara për kërkim dhe shpëtim nga rrënojat, si dhe pompa me kapacitet të lartë për pompimin e ujit.

Ekipi do të ndihmojë në zonat më të prekura në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat kanë pësuar humbje të mëdha për shkak të reshjeve të mëdha dhe përmbytjeve të papritura ditët e fundit.

“Mali i Zi do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për miqtë tanë në rajon dhe më gjerë, gjithmonë në frymën e solidaritetit dhe ndihmës reciproke”, theksoi Sharanoviq.

Kjo është një tjetër dëshmi e vendosmërisë dhe gatishmërisë së Malit të Zi për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë në situata emergjente, duke demonstruar rolin e tij humanitar dhe përkushtimin për sigurinë e përbashkët të rajonit.

Ekipi malazez është nisur mëngjesin e sotëm drejt zonave të prekura dhe gjatë ditës pritet ardhja e tyre dhe fillimi i aktiviteteve.

 

  • 1

    Radio