Llunji: Jemi patriotë që nuk e plaçkisim Ulqinin

Prej tvteuta16:53, 15 Mars 2022

Nr: 90/22

KONFERENCË PËR MEDIA

Të nderuar Qytetar,
Motra e vëllezër,

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emrin e Forcës së Re demokratike të ju falënderohem për përkrahjen tuaj gjithë këto vite, ku keni treguar se vota e lirë ka ende fjalën kryesore në këtë qytet, duke mos rënë pre e kushtëzimeve, pazareve dhe presioneve të ndryshme që vazhdimisht janë ushtruar nga partitë politike e në veçanti nga ato që ishin në pushtet.
Kam ndër të veçantë që rrugëtimin tim politik e kam gdhendur mbi supet e partisë politike shqiptare dhe si një individ të cilit paraardhësit janë shtypur dhe i ‘u është ushtruar presion politik me rezultate fatale, u siguroj që do të vazhdoj misionin tim më qëllim të përmirësoj jetën e çdo qytetari të Ulqinit.

Kemi qëllime të sinqerta, të ndershme e të drejta, vazhdimisht duke vënë në fokus kryesor qytetarin e Ulqinit. Me vizion të qartë, e them me plot siguri se jemi alternativa më e mirë në këto zgjedhje lokale.Kur flasim për plane veprimi, së pari, do të nisim nga mënyra e formimit të  politikave publike, për  çfarë duhet të cekim që kemi qëllim që në qendër të vëmendjes të jetë vetë qytetari. Ky i fundit do të këtë mundësi të pjesëmarrjes direkte në vendimmarrje, duke u lënë mundësia që gjithmonë të japin një kontribut për komunitetin. Kjo dukuri ka të bëjë me forma të demokracisë direkte, që tash një periudhë të gjatë praktikohet në shtetet e zhvilluara evopiane. Këtu pikërisht synojmë që të ndryshojmë edhe ligjin mbi vetëqeverisje lokale ku synojmë që kryetari të zgjidhet direkt nga qytetarët duke e ngritur nivelin e pjesëmarrjes demokratike në komunën tonë, duke i vendosur koalicionet e shumta jo natyrorë e joprincipijele në një teren të pasigurt për ta.

Në vazhdim dua të veçoj punën që do e bëjmë për avancimin ekonomik të qytetit tonë. Kemi vizion që komuna e Ulqinit të jetë qendër turistike e njohur ndërkombëtarisht, në veçanti e njohur për manifestime rinore, kitesurf, turizëm rural, argoturizëm, turizëm shëndetësor dhe sportiv. Për këtë kemi nevojë të formojmë kuadro, të cilat do të na mundësojnë që një sasi e konsiderueshme mjetesh të mbetet brenda komunës së Ulqinit. Për këtë kemi plan të potencojmë formimin e shkollave profesionale të çërtifikuara që përgatitin kuadro profesioniste. Pikërisht këtu, do t’i japim liri qytetarit të zgjedhë profesionin e vet dhe do të ulim ngarkesën e subjekteve publike. Me pak fjalë, praktikat e mobingut, presioneve e shtypjes që i behën të punësuarve vazhdimisht edhe sot nga subjekte që ushtrojnë pushtet, do të shkojnë drejt zhdukjes. Pastaj, do të ushtrojmë përpjekje për unifikim dhe mbrojtje të produktit të vajit të ullirit të Ulqinit, do të formojmë brendin dhe do të shtojmë subvencionet për prodhim të vajit.

Në gjithë këto, kam privilegj t’i njoftoj qytetarët që premtimet e jona janë të vërteta. Zyrtarisht, kemi nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të qytetit dhe qendrës sportive. Duke u nisur nga fakti që qyteti jonë vazhdimisht nxjerr individë të dalluar në fushën e futbollit dhe sporteve tjera, dhe fatkeqësia që jemi komuna e vetme në Mal të Zi që nuk ka stadium të qytetit, e kemi cilësuar më së te nevojshme që të marrim hapa konkrete drejt zgjidhjes së kësaj çështje. Kemi siguruar që në Buxhetin për investime për vitin 2022 të hyjë propozimi i Forcës për studim-lokacionin për ndërtimin e stadiumit dhe qendrës sportive. Ky projekt më vlerë prej 100.000 euro u sigurua nga propozimi i Forcës së Re Demokratike dhe shumë shpejt do të hidhen hapat e parë për ndërtimin e këtij objekti infrastrukturor.

Në fund do t’i drejtohem edhe konkurrenteve

Në krahasim me subjektet tjera të cilët rezultatet pozitive i kanë bërë veç vet, ne jemi të sinqertë që bashkëpunimi sjell dobi për qytetarin, në krahasim me subjektet tjera që bëjnë koalicione jo të sinqerta antiforcë duke u bazuar në afera korruptive, keqpërdoruese, luftën për karriga e shkatërrim e votës shqiptare. Kameleonët politik, që lëvizin nëpër parti prej zgjedhjeve në zgjedhje varësisht kush çka i ofron, vazhdojnë të nepërkëmbin votuesin e Ulqinit. Këtë nëpërkëmbje drejt qytetarit, këtë herë do ta dënojë vota e lirë, që ka interes të mirën e përgjithshme. Nuk do t’iu ndihmojë as mobingu që bëhet nëpër shkolla edhe thirrjet telefonike drejt të rinjve, as premtimet për punësime.

Po vazhdohet  politika e pushtetit të kaluar, me fjalë tjera politika e tyre u demaskua nga etja që kanë për pushtet. Drejtuar atyre që konsiderojnë se Ulqini menaxhohet prej Podgorice dhe mendojnë që është e nevojshme të bashkohen e të luftojnë kundër Forcës dhe partive tjera shqiptare, drejtuar atyre që shmangin diskutimin e dialogun politik dhe debatin televiziv, kam një mesazh, ju që keni shkatërruar Galebin, keni sjellë klijentelizmin politik e copëtuar votat shqiptare, mbas datës 27 mars do të jeni një e shkuar politike!

Jemi krenarë për prejardhjen, jemi të qëndrueshëm në rrugën e të parëve dhe të palëkundur në dashurinë për qytetin tonë! Ndershëm dhe drejt, lundrojmë drejt rikthimit të vlerave të vërteta qytetare me punën dhe politikat publike. Jemi një skuadër avangarde, me eksperiencë të mjaftueshme private, të verifikuar në fusha të ndryshme, të pakompromituar, të cilët bukën e fitojmë me djersë e mund, jemi punëdhënës e mbi të gjitha jemi patriotë që nuk e plaçkisim Ulqinin – shtëpinë tonë!

Prandaj, jam i sigurt që, pushtet pa Forcë nuk ka, jemi në udhëheqësit e ardhshëm të komunës së Ulqinit.

Me Forcën e Re Demokratike, ndershëm dhe drejt.

Ju faleminderit!

 

Kandidat për këshilltar

Asllan Llunji

  • 1

    Radio