Kulturë Më shumë

“Gurët e truallit tim”, vëllimi i ri poetik i Ali Gjeçbritajt

Prej tvteuta11:15, 1 Prill 2021

Poeti Ali Gjeçbritaj ka botuar këto ditë vëllimin e ri poetik “Gurët e truallit tim”, i cili përbëhet nga 67 poezi. Edhe në këtë përmbledhje poeti e gjen frymëzimin poetik te vendlindja e tij dhe çdo gjë që lidhet me të, bukuritë por edhe trishtimet e saj, përvoja e jetës personale dhe e brezit të tij, dëshirat dhe ëndrrat për jetën dhe popullin e vet etj. Përmes poezive liriko-epike që paraqesin refleksionin e brendshëm të autorit, lexuesi njihet me botën e tij shpirtërore. Gjeçbritaj e përdorë poezinë si “armën” e tij për të goditur fenomenet negative të shoqërisë, apo për të shprehur shqetësimet për fatin e vendlindjes dhe kombit.

Në vështrimin e tij për librin, poeti Agim Desku, recensent i librit, shprehet se “Poezitë e vëllimit poetik ‘Gurët e truallit tim’ ushqehen mbi konceptin e së bukurës dhe formën e kryqëzuar me rrënjën e historisë sonë e me simbolikën e saj. Poeti Gjeçbritaj ka dëshirë që vargun e tij ta jetësojë në vargje për atdheun, vendlindjen, përkatësisht ta shndërrojë si këngë të vërtetë të qëndresës. Andaj pse jo, ky vëllim poetik është qëndisur me një mjeshtëri brenda një garniture estetike, ku transmeton konceptin bashkëkohor se shoqëria jonë s’do të duhej të kishte ndarje në kokë, në qasje, në ide, në dashuri, në atdhetari, në guxim, në shprehje e në qëndrimin e saj rutinor”.

Redaktor i librit është Jaho Kollari, recensent Agim Desku, lektor Ismet Kallaba, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku. Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Shtypin e librit e ka mundësuar Ministria e Kulturës e Malit të Zi.

Ali Gjeçbritaj ka lindur në Arbnesh të Krajës, më 1953. Krahas punës në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri merret dhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka qenë redaktor i revistës “Valët”, revistë e nxënësve të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros. Deri tash ka botuar librat: “Motet” (poezi), “Gjurmët e moteve” (publicistikë), “Informatori” (publicistikë), “Shkolla në Krajë 1929-2009” (monografi), “Nata me hënë” (poezi), “Botë mashtrimi” (poezi), “Kopshti i xixëllonjave” (poezi për fëmijë), “Udhëtim në kohë” (monografi), “Heshtja që flet” (poezi), “Shkolla në Krajë 1929-2019” (monografi), “Rite dasme në Krajë” (monografi) dhe “Gurët e truallit tim” (poezi).

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 160 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

     Ulqin, më 01. 04. 2021                                                                        SHAI “Art Club”

 

  • 1

    Radio