Biblioteka popullore në Ulqin: Anëtarsim falas me rastin e ditës e ditës botërore të librit dhe të drejtave të autorit
Prej tvteuta14:24, 22 Prill 2017
Me rastin e 23 prillit, Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, Biblioteka e Ulqinit u ofron të gjithë të interesuarve anëtarësim njëvjeçar falas. Anëtarësimi pa pagesë do të bëhet të hënën, më 24 prill, gjatë tërë ditës nga ora 8 deri në 18, në lokalet e Bibliotekës.
Anëtarët e vjetër munden në këtë mënyrë të vazhdojnë anëtarësimin e vet edhe për një vit pa pagesë. Është viti i gjashtë radhazi që Biblioteka po ndërmerr një aksion të tillë, i cili ka për qëllim jo vetëm shënimin e kësaj date të rëndësishme për letërsinë botërore, por në radhë të parë promovimin e librit dhe të leximit në përgjithësi.
Me këtë aksion po ashtu dëshirojmë të kthejmë vëmendjen e opinionit kah biblioteka si institucion me rëndësi i kulturës, pa të cilin nuk mund të paramendohet një shoqëri e civilizuar. Biblioteka e Ulqinit, që nga themelimi i saj më se 130 vite më parë, ka qenë vendi ku është mbledhur, përpunuar, ruajtur dhe dhënë në përdorim tërë kjo trashëgimi letrare, shkencore, historike e kulturore, e cila sot gjendet në raftet e saj.
Që edhe në të ardhmen të vazhdojë të kryejë me sukses veprimtarinë bibliotekare-informative dhe të ruajë këtë thesar të çmuar kulturor për gjeneratat që vijnë, ajo ka nevojë jo vetëm për përkrahjen e gjithë shoqërisë, por për përkrahjen e çdo individi në veçanti. Mos të harrojmë fuqinë e librit – ai është burim i diturisë, inspirimit, fantazisë, besimit dhe vlerave të mirëfillta njerëzore. Ardita Rama Udhëheqëse e Bibliotekës Popullore Ulqin