Kulturë Më shumë

“Art Club” sjell “Muret” e Enes Haliloviqit në gjuhën shqipe

Prej tvteuta16:20, 9 Gusht 2017

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë në gjuhën shqipe përmbledhjen “Muret” (Zidovi) të Enes Haliloviqit, njërit prej autorëve të rinj më të shquar të letërsisë së sotme boshnjake (serbe).

“Muret” vlerësohet nga kritika si një arritje e re e këtij autori drejt majave të letërsisë dhe risi e konceptit. “Muri” si koncept filozofik dhe kulturologjik është trajtuar në të gjitha aspektet e tij në laboratorin krijues të Haliloviqit. “Përmes simbolit të murit, Haliloviqi në mënyrën moderne e pozicionon njeriun dhe kufizimet e tij, si dhe përpjekjet e tij të përhershme për lirinë. Në këtë përmbledhje, poeti krijon imazhe në të cilat njeriu përpiqet të gjejë vendin e vet, me nevojën e përhershme për zgjerimin e horizontit dhe shembjes së kufijve”.

Libri është përkthyer në gjuhën shqipe nga Qazim Muja. Redaktor i librit është prof. dr. Basri Çapriqi, lektor Hajredin Kovaçi, kurse redaktor teknik Qazim Muja. Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Informimit të Serbisë.

Enes Haliloviq ka lindur në Novi Pazar, në vitin 1977. Është tregimtar, romancier, poet, dramaturg, jurist, ekonomist dhe gazetar. Gjer më tani ka botuar rreth dhjetë libra me tregime, poezi, tekste teatrore dhe romanin “Ep o vodi” (Epi për ujin). Ka themeluar agjencinë e lajmeve “Sanapress”, revistën letrare prestigjioze “Sent” (për punën redaktuese të saj është vlerësuar me çmimin “Sergije Lajkoviq”), ueb revistën “Eckermann” dhe blogun “Libela”. Poezitë, tregimet dhe dramat e Enes Haliloviqit janë botuar si libra të veçantë dhe përkthyer në shumë gjuhë si: në anglisht, frëngjisht, maqedonisht, turqisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, arabisht, polonisht, rumanisht, hungarisht, sllovenisht, letonisht, greqisht, bullgarisht, në gjuhën katalonase etj. Vëllimi “Muret” është botimi i parë i Haliloviqit në gjuhën shqipe.

Dramën e Haliloviqit “Komad o novorođenčadima koja govore“ (Pjesë për foshnjet e porsalindura që flasin) si premierë e ka luajtur trupa e teatrit Schaubühne të Berlinit.

Haliloviq është përfshirë në shumë antologji të prozës dhe poezisë, në vend dhe jashtë. Është laureat i Medaljes së Artë për kontribut në kulturë, si dhe i çmimeve më prestigjioze letrare si: “Branko Miljkoviq”, “Gjura Jakshiq” dhe “Mesha Selimoviq”. Vitin e kaluar ka qenë i ftuar dhe është organizuar mbrëmje autoriale në manifestimin “Kalimera Poetike”.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 120 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.    

 

Ulqin, më 09. 08. 2017                                                                             SHAI “Art Club”

  • 1

    Radio